E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani-ERE-s: “Mos e rrisni çmimin e energjisë elektrike”

Autori i Lajmit: Redaksia
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ka kërkuar dje kryetarit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Bujar Nepravishta që të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë. Në këtë kërkesë Dobjani pati parasysh aplikimin e OSSH-së pranë ERE-s, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve dhe marrja e sqarimeve të nevojshme për cilësinë e shërbimeve të furnizimit me energji elektrike të konsumatoreve dhe për propozimet e fundit të OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë. Avokati i Popullit, kërkoi nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike që në vendimmarrjen e tij të mbajë në konsideratë të drejtat dhe interesin më të lartë të konsumatorit shqiptar, duke vepruar me paanësi, integritet dhe objektivitet të lartë. Dobjani dhe Nepravishta shprehën në mënyrë të përbashkët shqetësimin për abuzimin dhe vjedhjen e energjisë elektrike nga një pjesë e qytetarëve në bashkëpunim ngandonjëherë edhe me punonjës të OSSH-së, e cila po sjell në vijimësi humbje për këtë kompani, duke ndikuar edhe në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kështu dy drejtuesit e institucioneve apeluan jo vetëm për pagimin e faturave të energjisë nga të gjithë qytetarët, por dhe për forcimin e veprimtarisë së organeve të zbatimit të ligjit dhe veçanërisht Prokurorisë në çuarjen para drejtësisë pa kompromis të personave përgjegjës.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›