E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët dalin nga greva, hiqet mesatarja për DND

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Studentët e Universtitetit të Kamzës kanë mbyllur dje grevën e urisë e cila zgjati plot tetë ditë. Bojkotimi i mësimit mëngjesin e djeshëm nga 300 studentë të UBT-së ka detyruar Ministrinë e Arsimit dhe drejtuesit e Universitetit të Kamzës që të plotësojnë kërkesat e studentëve për të vazhduar studimet në DND. Në orët e vona të pasdites së djeshme studentët kanë dalë nga greva një javore duke marrë miratimin e MASH dhe Rektorit të UBT-së për të hequr mesataren këtë vit, duke u dhënë në këtë mënyrë studentëve të drejtën e vazhdimit të 2-vjeçarit sipas Kartës së Bolonjës. Vendimi për arritjen e marrëveshjes mes palëve është bërë i ditur nga përfaqësuesit e MASH. Po sipas Ministrisë së Arsimit, për studentët e Universitetit të Kamzës do të nisë që sot regjistrimi në nivelin e dytë të studimeve DND.

Greva

Deri në momentin e zgjidhjes së kërkesave greva e 15 studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamzë është përshkallëzuar deri në bojkotim të gjithë procesit mësimor në universitet. Mbi 300 studentë janë bashkuar me shokët e tyre të cilët kanë hyrë në grevë urie, dhe kanë bllokuar hyrjen e universitetit qysh rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm. Ata nuk kanë lejuar që studentë apo pedagogë të hyjnë në universitet për të nisur normalisht procesin mësimor. Përballë kësaj situate Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, Bari Musabelliu ka bërë një kallëzim penal në Polici kundrejt studentëve për uzurpim të ambienteve të godinës universitare. Bojkotimi i procesit mësimor ishte paralajmëruar nga ana e studentëve dy ditë më parë. Ata prej më se një jave kanë kërkuar tu jepet sa më parë një përgjigje mbi kërkesat e tyre lidhur me heqjen e kriterit të mesatares për të vazhduar studimet 2-vjeçare sipas Kartës së Bolonjës. Gjendja shëndetësore e 15 grevistëve të futur në grevë urie u rëndua aq shumë sa dje në ditën e tetë të grevës së urisë ata kaluan edhe në gjendje të fikti.

Prindërit

Për herë të parë një protestë studentësh është përkrahur edhe nga prindërit e tyre të cilët shprehën shqetësimin jo vetëm për të ardhmen e fëmijëve të tyre, por edhe për pasojat shëndetësore që erdhën si pasojë e grevës së urisë. Studentët janë shprehur se janë të vetëdijshëm se nuk e përmbushin kriterin e masatares i cili kërkohet të jetë mbi 7, por nuk kanë qenë dakord që ky kriter të vendoset këtë vit kur një vit më parë është proceduar ndryshe, dhe i njëjti nivel studentësh është pranuar në DND. Madje ata nuk kanë pranuar as alternativën që ka paraqitur Dekanati, atë të vazhdimit të një Masteri 1-vjeçar MNP. “Nuk do të heqim dorë pavarësisht presioneve. Protesta do të përshkallëzohet nëse nuk marrim përgjigje pozitive nga Kryeministri e ministri i Arsimit. Paralajmërojnë se nëse nuk na jepet e drejta për studim atëherë të gjithë do të hyjmë në grevë urie në koridoret e Universitetit Bujqësor të Tiranës,” janë shprehur studentët pak para plotësimit të kërkesave të tyre.

Përplasja me policinë

Dy netë më parë studentët u përplasën me policinë e cila ka tentuar ti nxjerrë jashtë ambienteve të UBT-së. Studentët ishin mbledhur para ambientit ku ishin ngujuar edhe shokët e tyre. Forcat policore kanë tentuar ti shpërndanin studentët ndërkohë që këta të fundit janë ankuar se janë dhunuar psikologjikisht nga forcat e rendit. Studentët të cilët u hedhën në grevë urie nuk e kanë mesataren e kërkuar nga fakulteti e cila duhet të jetë mbi 7, ndërkohë që në bazë të sistemit të Bolonjës, ata kanë plotësuar kuotën e 180 krediteve për të ndjekur ciklin 2-vjeçar. Por, këta studentë nuk u penguan vetëm nga mesatarja e ulët, por edhe nga kuotat e pakta që janë dhënë për ciklin e dytë të studimeve.

Zv/dekani Miço

Dy ditë më parë i pyetur nga gazeta “Ballkan”, zv/dekani i këtij fakulteti Maksim Meço ka kërkuar që studentët të dalin nga greva dhe të pranojnë alternativën e re të studimit, atë të vazhdimit të MNP-së. Përsa i përket procedurës së një viti më parë Meço ka sqaruar se nuk mban përgjegjësi për këtë veprim, pasi ka qenë një urdhër i brendshëm i Rektoratit dhe se pedagogët nuk kanë qenë dakord për pranimin e studentëve pa kriter mesatareje. ”Ne nuk i kemi lënë në rrugë, ata janë studentët tanë, ne u kemi dhënë mësim për tre vjet, vetëm për ta i kërkuam qeverisë kuota shtesë e cila na miratoi 100 kuota MNP të cilat këta studentë nuk i pranojnë,” ka sqaruar Meço. Në mbështetje të pedagogëve të UBT-së ka dalë dje në një prononcim në media edhe rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kacani, i cili ka apeluar për vazhdimin e studimit 1-vjeçar (MNP) nga ana e studentëve që u hodhën në grevë urie.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›