E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e apartamenteve shtrenjtohen me 18 për qind

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas një stanjacioni në shitjen e banesave të prekur edhe nga kriza globale, duke se situata është zhbllokuar, por me karakteristika të tjera. Në raportin më të fundit të politikës monetare të Bankës Qendrore, për tremujorin e tretë të vitit thuhet se, indeksi i çmimit të banesave është rritur me 18 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të një viti më parë. Kjo shifër, gjithsesi është më e lartë për shkak edhe të luhatjeve të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të monedhës vendase. “Rritja vjetore e çmimit të banesave, duke përjashtuar efektin e nënçmimit vjetor të lekut ndaj euros, do të rezultonte vetëm 10 për qind (18 për qind me këtë efekt)”, - thekson raporti i BSH-së.
Të paktën të dhënat zyrtare bëjnë me dije se, ka rreth 4 mijë apartamente të pashitura në kryeqytet, shifër që do të ndikonte në uljen e çmimit. Por e kundërta ka ndodhur. Kjo ecuri, sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, konfirmoi pikën e kthesës drejt rritjes graduale, të nisur që prej tremujorit të parë të vitit 2009. “Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve të ndërtimit tregojnë për një prirje në rënie të çmimeve të prodhimit, e cila nuk është reflektuar në çmimet e transaksioneve gjatë shitblerjes në dy tremujorët e fundit. Këto janë të dhëna që përdoren për ndërtimin e indeksit të çmimeve të banesave. Pjesa më e madhe e çmimeve të shitjes shprehet në monedhën evropiane, e cila është vlerësuar me 7.7 për qind ndaj monedhës vendase”, - theksuan ekspertët në raport. Ata gjykojnë se zhvillimet në çmimet e banesave do të ndikohen edhe nga rritja e pritur e ofertës. Bazuar në të dhëna të tërthorta, oferta është e shprehur në vlerësime më pozitive të prodhimit në ndërtim ashtu edhe nga një rënie e inventarëve të bizneseve të ndërtimit gjatë dy tremujorëve të fundit. Rrjedhimisht çmimet jo vetëm që nuk do të ulen, por janë me tendencë rritjeje. Rritja e çmimit në Shqipëri do të vijojë, sepse kërkesa e konsumatorit është akoma e lartë. Gjysma e popullsisë jeton aktualisht në fshat dhe ka kërkesa të vazhdueshme për tu zhvendosur në zonat urbane. Përpos kësaj në vend ka një popullsi akoma të re në moshë që pajisen me shtëpinë e tyre pasi krijojnë familje të re.

Qiratë

Ndryshe nga situata e apartamenteve dhe banesave, në të njëjtën periudhë indeksi i qirave ra me rreth 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë paraqitet në pothuaj të njëjtin nivel. Raporti i çmimit të shitjes së banesave ndaj qirasë së tyre ka pësuar rritje në tremujorin e tretë të vitit 2009. Niveli i tij aktualisht qëndron më lart prirjes historike të këtij raporti, ndikuar si nga rritja e çmimit, ashtu edhe nga rënia e qirave të banesave në tremujorin e tretë të vitit 2009.

Ndërtimi

Aktiviteti i ndërtimit është tkurrur si pasojë e reduktimit të likuiditeteve gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të viti. Shkak për këtë janë bërë faktorë të ndryshëm ku dy prej më të rëndësishmëve janë, bankat që kanë prerë kreditimet dhe dërgesat e emigrantëve që kanë rënë ndjeshëm sidomos këtë vit. Shqetësimet e përfaqësuesve të këtij sektori kanë të bëjnë me mungesën e partneritetit me qeverinë, mungesën e strategjive për sektorin e ndërtimit, mungesën e planeve rregulluese në qytete, si dhe arbitraritetin e administratës tatimore. Ata kanë kërkuar shpesh rregullimet e nevojshme ligjore me qëllim normalizimin e biznesit të ndërtimit. Sipas burimeve të Shoqatës së Ndërtuesve aktualisht, shoqëritë e ndërtimit qarkullojnë rreth 1.5 miliardë euro në vit. Ato janë pajisur me teknologjitë më të mira të kohës, kanë mobilizuar burime të shumta financiare të lira në duart e popullatës dhe kanë punësuar një numër të madh fuqie punëtore.

Tregu

Ndikimi i krizës globale,
në çmimet e banesave

Shkaqet e rritjes së çmimeve të apartamenteve duket se janë disa. Në fakt në Shqipëri, edhe gjatë periudhës së krizës, që preku kryesisht sektorin e ndërtimit shitjet mbetën në vend, por çmimet mbetën të larta. Agjentët imobilarë konfirmojnë se, përpos kësaj rritjen e shitjeve e ka favorizuar edhe presioni psikologjik i çmimeve tek konsumatorët. Por, ata pohojnë se dalja e vendeve perëndimore nga kriza do të shoqërohet domosdoshmërisht edhe me rritje çmimesh, gjë që do të pasqyrohet edhe në Shqipëri. Sipas agjentëve, ndoshta ky do të jetë një moment tjetër që mund të frenojë sërish shitjet.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›