Dobjani: Ja "bombat" në Qarkun e Beratit
Duke marrë shkas nga tragjedia e Gërdecit, puna në institucionin e Avokatit të Popullit është përqendruar në evidentimin e zonave të rrezikshme në të gjithë Shqipërinë. Pas Tiranës, komisionerët e Dobjanit kanë shkuar në Qarkun e Beratit, me të dhëna se atje gjendeshin dhjetëra depozita me naftë, gaz por edhe me amoniak. Nuk kanë gabuar, pasi në qytetin e Kuçovës dhe rreth tij gjendeshin dhjetëra depozita me naftë pranë qendrave të banuara, ndërsa në Berat janë evidentuar disa depozita nafte dhe gazi pranë ndërtesave shumëkatëshe. Por ajo çka përbën një rrezik të madh për popullatën, janë 2700 tonët me amoniak në Komunën Qendër të Skraparit. Amoniaku, megjithëse ruhet në një frigorifer, përbën një rrezik nga pakujdesitë dhe katastrofat natyrore, pasi përreth godinës ka dhjetëra shtëpi private. Komisionerët e Avokatit të Popullit u kanë rekomanduar të gjitha institucioneve shtetërore në Tiranë dhe Berat marrjen e masave të menjëhershme për kontrollin e verifikimin e normave dhe kushteve teknike të përcaktuara në lejet dhe autorizimet përkatëse të sigurisë, të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të jetës së njerëzve, si dhe parandalimit të ngjarjeve të qëllimshme me depozitat që janë burim rreziku i shtuar. Dobjani paralajmëron se "nëse nënvleftësohet ose ulet niveli i kujdesit të përhershëm ndaj rrezikshmërisë që paraqesin, mund të sjellë përsëri pasoja të paparashikueshme për jetën, shëndetin, pronën dhe nivelin e sigurisë në vend". Sipas avokatit, iniciativa synon që të rrisë nivelin e përgjegjësisë dhe të vërë më mirë në lëvizje të gjitha organet shtetërore dhe autoritetet publike të ngarkuara nga ligji me kontrollin dhe disiplinimin e veprimtarive dhe objekteve me burim rreziku të shtuar. "Disa nga objektet që konsiderohen të tilla janë edhe instalimet, impiantet dhe stacionet e tregtimit të naftës, gazit të lëngshëm dhe nënprodukteve të tyre të shpërndara në të gjitha qytetet dhe komunat, përfshirë në mënyrë të veçantë edhe njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë, që për vetë specifikën që ka, përbën sasinë më të madhe të ruajtjes, depozitimit apo tregtimit të tyre në vend", deklaron Dobjani. Sipas tij, për identifikimin e të gjitha këtyre objekteve me burim rreziku të shtuar, është kërkuar që në datën 13.03.2008 nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, informacion për ekzistencën e tyre në territoret që ato administrojnë dhe të problemeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri që mund të kenë në relacion me komunitetet, objektet shtetërore dhe pasuritë e tyre.
Nga përgjigjet që kanë ardhur nga bashkitë Berat, Ura Vajgurore, Çorovodë dhe nga titullarët e komunave e qarkut veçohen dhjetëra vatra të nxehta. Më konkretisht, në qytetin e Beratit janë 6 stacione tregtimi nafte dhe 30 të tjera për mbushje e tregtim gazi, shumica e të cilave të ndërtuara pranë banesave dhe institucioneve. "Në shumë kate të para të pallateve, krahas produkteve ushqimore etj., tregtohen edhe bombola gazi të madhësive të ndryshme", thotë Dobjani. E njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Urës Vajgurore, Çorovodë dhe Kuçovë. Ndërsa në Komunën Qendër në Skrapar situata është me alarmante, pasi në lagjen "Hysen Seitaj" ndodhen 2700 tonë amoniak në frigorifer. Më pas, komisionerët e Avokatit të Popullit veçojnë disa vatra rreziku nga pikat e tregtimit të gazit dhe naftës në komunat e Beratit si Otllak, Kutalli dhe Poshnje. Ndërsa janë edhe disa pika të tilla në dy komunat e Kuçovës, Kozare dhe Perondi.