Shpërndanin drogë në shkolla, prangosen tre
Sektori i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit ka përfunduar me sukses dje aksionin e koduar "Furtuna", për goditjen e një rrjeti të shpërndarëve të drogës në gjimnaze. Aksioni është finalizuar me arrestimin e tri personave dhe sekuestrimin e 23 dozave heroinë. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se u arrestuan Romeo Këmbcai 27 vjeç, nga Durrësi; Aurel Etemaj 24 vjeç, nga Berati dhe Fatjon Hodo 25 vjeç, nga Berati. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të informacioneve të marra nga Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në shkollat e qytetit. Kështu, gjatë operacionit të koduar "Furtuna" u bë e mundur kapja në flagrancë e këtyre shtetasve, ndërkohë që në banesën e Aurel Etemajt, në lagjen "Uznovë", u sekuestruan 23 doza heroinë, të bëra gati për shitje, me peshë të përgjithshme 10 gramë.