E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të ndalet greqizimi i Shqipërisë"

Plot 64 shoqata kulturore atdhetare u mblodhën dje në një tubim, ku i kanë kërkuar Presidentit të vendit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit, që të mos heshtin dhe të mos lejojnë cenimin e integritetit territorial shqiptar. "Të ndalet greqizmi i vendit", kanë deklaruar ata. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave atdhetare kanë reaguar fuqishëm kundër deklaratave që i cilësuan tërësisht antishqiptare të prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, si dhe të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, për të ashtuquajturin Vorio-Epir. Por ata kanë kërkuar gjithashtu nga autoritetet që të lënë të lirë, të vlerësojnë dhe respektojnë si atdhetarë të vërtetë, dy të rinjtë nga fshati Toç i Tepelenës, që u arrestuan vetëm pse organizuan në fshat një miting me flamuj shqiptarë, kundër kërkesave të prefektit Ksera. Ky arrestim u krye ndonëse ata kishin kërkuar lejen e policisë, e cila i është përgjigjur se "nuk jemi në gjendje të garantojmë rendin". "Si ka mundësi që nuk garantohet rendi nga policia kur është fjala për të mbrojtur interesat tona kombëtare, kur po kjo polici nuk kryen asnjë veprim kur bëhet thirrje për bashkim të viseve tona me Greqinë?", kanë ngritur pyetjen për krerët më të lartë të shtetit shqiptar, përfaqësuesit e këtyre shoqatave. Nuk ka si të mos indinjohemi, kanë shtuar ata, kur dëgjojmë deklarata për "Autonomi të Shqipërisë së Jugut" njëlloj si në vitin 1914, kur u shpall e ashtuquajtura "Autonomi e Vorio-Epirit", apo kur u nënshkrua "Protokolli i Korfuzit". Ata kanë kujtuar se këto akte shqiptarët i kundërshtuan jo vetëm shpirtërisht, por edhe me armë, si dhe theksuan se Bollano e Ksera duket se kërkojnë të ringjallin "shtetin epirot" të Zografos dhe të zënë vendin e tij, duke harruar se këtë "shtet" virtual e varrosi koha. "Ne qytetarët e thjeshtë jo vetëm që nuk harrojmë, por u kujtojmë këtyre zotërinjve, si dhe zyrtarëve të shtetit shqiptar, që i mbështesin, të zbatojnë ligjet e shtetit ku jetojnë dhe të respektojnë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar! Minoritarët grekë kanë qenë dhe janë pjesë e pandarë e shoqërisë sonë, si dhe kanë gëzuar të gjitha të drejtat që u takojnë", kanë vijuar më tej në këtë qëndrim.

"Bëhet fjalë për cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë, theksuan ata më tej, duke shtuar se, heshtja që ka pushtuar qeverinë dhe parlamentin shqiptar mendojmë se është e pafalshme". Sipas tyre, deputetët dhe pushtetarët të shkunden e të çlirohen nga ndjenja e përunjësisë dhe e servilizimit përballë diplomacisë greke për hir të një vize, burse studimi apo mbajtjes së kolltukut, në dëm të interesave tona kombëtare.

"Historia na bën apel të kujtojmë se Greqia në sajë të përpunimit të opinionit zyrtar e qytetar të kohës arriti të shkëpusë nga trungu i viseve tona zona të tëra shqiptare si Prevezën, Artën, Paramithinë, Igumenicën, Filatin, Dhodhon, Janinën, Mecovën, Grebenenë, Konicën, Kosturin, Follorinën e më gjerë. Ndërsa pas vitit 1913 dhe deri në ditët tona vazhdon punën e saj me të gjitha mjetet tradicionale e sidomos "bashkëkohore" për të rrëmbyer jo vetëm Himarën, por tërë prefekturën e Gjirokastrës e të Korçës", janë shprehur përfaqësuesit e 64 shoqatave kulturore- atdhetare. Ndërsa pohojnë se "kemi falënderuar popullin grek për pritjen e emigrantëve shqiptarë në këtë periudhë tranzicioni jo të lehtë për ne. Por nuk mund të pajtohemi me mungesën e reciprocitetit në marrëdhëniet dypalëshe, ku shteti fqinj vetëm kërkon dhe ne vetëm duhet të bindemi. Nuk pajtohemi me heshtjen ndaj çështjes çame e të pronave shqiptare në të cilat duhet të gjëmojë e të zgjidhet në bazë të normave ndërkombëtare".

Gjithashtu, ata kërkuan nga shteti shqiptar të mbahet qëndrim duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat ligjorë për shkarkimin e prefektit të Gjirokastrës Ksera, si dhe të kryebashkiakut të Himarës, Bollano, të cilin e etiketuan si një "shqiptar gjakprishur, që për nga origjina e të parëve nuk e lidh asgjë me Greqinë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›