E Shtunë, 31 Tetor 2026

S‘e lanë të martohej, var veten në degë të bajames

Një histori dashurie e një 22-vjeçari nga fshati Piskovë i Rrethit të Përmetit ka përfunduar në një tragjedi të vërtetë. Djaloshi është vetëvarur në degët e një bajameje rreth 300 metra larg shtëpisë, pasi prindërit i kishin refuzuar martesën me vajzën që dashuronte. Fundi tragjik i kësaj historie ka ngjarë dje, rreth orës 10:10, në fshatin Piskovë, rreth 15 kilometra larg qytetit të Përmetit. Ngjarja është konfirmuar plotësisht nga policia e qarkut, pasi sipas pohimeve të zëdhënësit të saj, Gentian Mullai, rreth orës 10:15 minuta në sallën operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka mbërritur një telefonatë që njoftonte se në fshatin Piskovë, pak minuta më parë ishte gjendur i vetëvarur në një pemë një shtetas i moshës së re. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Përmet, që kanë konstatuar se telefonata ishte e vërtetë. Në Piskovë ka shkuar edhe grupi hetimor, i cili pasi ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe më pas marrjen e dëshmive paraprake, ka bërë të ditur se shtetasi Orgert Ramadani, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Piskovë të Rrethit Përmet, është vetëvarur si pasojë e gjendjes depresive që po kalonte ditët e fundit nga një histori dashurie. Nga dëshmitë paraprake të të afërmve dhe bashkëmoshatarëve, 22-vjeçari Orgert Ramadani ishte dashuruar me një vajzë nga një fshat i Rrethit të Tepelenës. Por, pasi këtë dashuri ua ka bërë të ditur prindërve të tij, ata nuk e kanë pranuar dashurinë e tyre dhe kanë refuzuar që djali i tyre të martohej me atë vajzë. Pasi ka debatuar gjatë mbrëmjes së të premtes dhe paradites së djeshme me prindërit e tij, Orgerti është larguar, duke u thënë se do vriste veten. Babai i djalit ka deklaruar se e ka ndjekur nga pas, por ai është fshehur për t‘i shpëtuar ndjekjes. Më pas Orgerti ka shkuar afër përroit të Koritës, disa metra mbi vreshtat e fshatit Piskovë, dhe ka varur veten me litar në një degë bajameje. Kufoma është gjetur nga djali i xhaxhait të tij, i cili po e kërkonte së bashku me të atin e viktimës. Nga këqyrja që iu bë celularit të tij, u gjet një sms që ia kishte nisur vajzës që donte, së cilës i shkruante se do të varte veten. Nga ana e policisë u morën masa duke kontaktuar me familjarët e vajzës, për të parandaluar ndonjë tentativë vetëvrasjeje nga ana e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›