Dobjani: Kartat, mungon transparenca
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, lëshoi kritika të forta për procesin e aplikimit të kartave të identitetit. Më 11 mars, pas takimit zyrtar me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinant Poni, ku atij iu parashtruan problemet e konstatuara. Bashkë me të u shkua për riverifikim në njësitë bashkiake nr. 1, 2, 3, 4 dhe 5 të Tiranës. Konstatimet e Dobjanit u mbështetën edhe nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i cili ishte i pranishëm në inspektim. "Nga të gjitha organet dhe palët e interesuara duhet të nxitet publiku që të aplikojë sa më parë dhe sa më shumë, me qëllim që të mos krijohet situatë piku, pra mbingarkesë afër datës 28 qershor", u shpreh Dobjani. Sipas tij, afati 15 ditor i shpallur nuk është respektuar dhe pardje ishin të gatshme për t‘iu dhënë kartat vetëm atyre qytetarëve që kishin aplikuar deri para datës 5 shkurt. Një mangësi tjetër përbën fakti se në regjistrin elektronik kishte pasaktësi të gjeneraliteteve. "Gjithashtu, në regjistrin elektronik ka dublime të fshehura emrash. Ky fenomen ndodhte në rastet kur vajzat e martuara kishin marrë mbiemrat e bashkëshortëve, kur kishte ndryshim emrash, korrigjim të gjeneraliteteve etj.", sqaroi Dobjani. Sakaq, shtoi ai, nga këqyrja në vend e procesit u vërejt se programi kompjuterik i shoqërisë prodhuese kishte mangësi. "Kompania prodhuese e kartave nuk kishte zgjidhje për të sëmurët, invalidët dhe tepër të moshuarit, që t‘jua ofronte mundësinë e aplikimit nëpër banesa", theksoi Dobjani. Një problem tjetër me rëndësi është edhe konstatimi se nuk është parashikuar deri tani zgjidhja e pajisjes me letërnjoftim e të burgosurve. Avokati i Popullit konstatoi se shqetësimi i ngritur edhe më parë, qysh në vitin 2002, lidhur me mosçregjistrimin nga regjistrat e gjendjes civile të shtetasve të vdekur, qëndron akoma. Një problem tjetër tepër shqetësues për këtë proces jetik është edhe mungesa e transparencës nga shoqëria "Sagem", fituese e koncesionit me shoqërinë aleat prodhuese e letërnjoftimeve. "Avokati i Popullit reagon ashpër ndaj këtij qëndrimi hermetik, jo vetëm për faktin se nuk ka mundësi të sigurojë informacionin e kërkuar për sa i takon çështjes në fjalë", tha Dobjani. Ambasadori i OSBE-së në kryeqytetin shqiptar, Robert Bosch, deklaroi se vëzhguesit e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit do të mbërrijnë gjashtë javë para procesit. Sipas përllogaritjeve rezulton se ata duhet të vijnë rreth datës 18 maj. Bosch tha se qytetarët kanë kohë të mjaftueshme për t‘u pajisur me kartën e identitetit, përpara 28 qershorit. Pas kontaktit të tij me ministrin e Brendshëm, Nishani, ambasadori u shpreh se ka marrë garanci që nuk do të ketë dështim të procesit, por i ka bërë thirrje qeverisë të ulë sërish tarifën e kartës për të papunët, pensionistët dhe të dënuarit. "Sot mora garanci nga ministri i Brendshëm se bashkë me firmën ‘Sagem‘ do të bëhet e mundur pajisja e të gjithë shtetasve pa pasaportë, me kartën e identitetit", u shpreh Bosch. Ai konstatoi se është pro sanksioneve të vendosura nga qeveria për shtetasit që nuk aplikojnë, por do të ishte e rëndësishme të kishte më shumë transparencë të procesit. "Për sa u përket kategorive në nevojë, do t‘i sugjeroja qeverisë të rishikojë një tjetër ulje të tarifës së kartës së identitetit për to", këmbënguli Bosch. Kërkesa për transparencë në këtë proces u mbështet sakaq edhe nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch.