E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Leskaj, replika në Kuvend për Delijorgjin

Një vit nga tragjedia e Gërdecit, debati për të në sallën e Kuvendit zhvillohet gjithnjë e më shumë me tone të ashpra nga partitë politike. Në seancën e djeshme, mazhoranca dhe opozita replikuan fort me njëra-tjetrën, duke mos i kursyer akuzat ndaj drejtuesve më të lartë të dy partive të mëdha. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i kujtoi qeverisë se po kalon një vit dhe Kryeministri Sali Berisha nuk ka kërkuar ende falje publike. Sipas saj, nuk janë ndëshkuar personat përgjegjës për këtë tragjedi dhe nuk janë kompensuar materialisht të prekurit nga shpërthimi i 15 marsit të vitit të kaluar. Në fjalën e saj, Leskaj theksoi se "në këtë vit, qeveria u përpoq të ushtronte kontroll, ndërhyri në procesin e hetimeve, u përpoq të shmangte vëmendjen, por Gërdeci nuk mund të harrohet". Atë tragjedi, u shpreh Leskaj më tej, e shkaktoi pabesia e njerëzve të veshur me pushtet, që në dukje ofruan punë dhe bukë për familjet e varfëra që punonin aty, e në fakt iu dhanë vdekje dhe mjerim, në këmbim të milionave që planifikuan të merrnin për veten e tyre. "E shkaktoi pabesia e atyre njerëzve që erdhën në qeverisje në emër të drejtësisë, në emër të antikorrupsionit, në emër të një jete më të mirë, që nuk ua dhanë kurrë shqiptarëve". Leskaj e ka vlerësuar si një përpjekje të dështuar të qeverisë, e cila, sipas saj, u përpoq të harronte tragjedinë. Ajo shtoi në sallën e Kuvendit se nuk mund të harrohen 26 të vdekur, nuk mund të harrohen mbi treqind të lënduar, një pjesë e tyre me pasoja të pariparueshme, nuk mund të harrohen pronat e shkatërruara, të ngritura me mundin dhe djersën e shumë viteve punë, nuk mund të harrohen pasojat në mjedis, sepse janë aty në tokën e helmuar. Ata njerëz, vijoi drejtuesja socialiste, jetojnë atje, sepse nuk kanë alternativë dhe zgjedhje tjetër. "Qeveria mund ta harrojë, por ata që e pësuan nuk mund ta harrojnë, Shqipëria nuk harron, të paktën jo kaq shpejt, jo pa u shëruar plagët, jo pa u dënuar shkaktarët", insistoi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 15 mars të jenë në sheshin "Skënderbej", për të protestuar që Shqipëria të shpëtojë njëherë e mirë nga fenomeni "Gërdec", simbol i të cilit është bërë qeveria e sotme. Në të njëjtën linjë diskutimi me Leskjan ishte edhe deputeti tjetër i PS-së, Musa Ulqini. Por nuk kanë ndarë të njëjtin qëndrim deputetët e mazhorancës, të cilët i kërkuan opozitës të mos bëjë politikë me viktimat e tragjedisë së Gërdecit, por t‘i lënë ata njerëz të nderojnë viktimat e kësaj tragjedie, dhe politika të respektojë dhimbjen. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur deklaratës së Leskajt, i ka bërë asaj dy pyetje, të cilave kryetari i PS-së, Rama, duhet t‘u japë përgjigje. Topalli kërkoi sqarime nga opozita se përse nuk përmendet asnjëherë prej tyre emri i Mihal Delijorgjit dhe pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Delijorgji ka në mes të Tiranës, të dhëna nga kryetari i PS-së. Pyetjeve të Kryetares së Parlamentit, në adresë të opozitës, u është përgjigjur vetëm me një fjali kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. "Nëse keni informacione dhe nuk i keni çuar në prokurori jeni bashkëpunëtorë në krim", nënvizoi Leskaj. Deklarata nuk e ka kënaqur kryetaren Topalli, e cila i kujtoi Leskajt të lërë kryetarin e PS-së, Edi Rama, të japë përgjigje për këtë çështje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›