E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, gjyq në përvjetor

Hetimet 1-vjeçare të shpërthimit tragjik në ish-repartin e tankeve në Gërdec, në periferi të Tiranës, mbyllen nga Prokuroria e Përgjithshme, duke dërguar kështu përfundimisht në Gjykatën e Lartë 28 të pandehur. Kryeprokurorja Ina Rama ka pranuar dje zyrtarisht se hetimet janë në fazën e fundit dhe këto ditë aktet hetimore do t‘u dërgohen togave të zeza, me të gjithë personat e pandehur. Deklarata është realizuar dje, në momentin që numri një i akuzës dilte nga "Hotel Tirana", ku mori pjesë në një takim me përfaqësues të EURALIUS, Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë. "Prokuroria është duke kryer procedurat e fundit hetimore për këtë çështje. Ne jemi në përfundim e sipër të të gjitha veprimeve", tha ajo, duke shtuar se dërgimi i dosjes në gjykatë është çështje ditësh. Ndërkohë, burime nga akuza qendrore thanë se data 17 mars e këtij viti është limiti i fundit kur dosja me 28 të pandehur do të shkojë në gjykatë. Ndër emrat "vip" nën akuzë janë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, të cilët do të përballen me akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Prokuroria deklaron se i ka njohur të gjithë të pandehurit me aktet hetimore, duke i thirrur në prokurori, por edhe duke ua dërguar dosjen me postë, pasi disa prej tyre nuk kanë pranuar të firmosin.

Hetimet
Verifikimet njëvjeçare të Prokurorisë së Përgjithshme kanë arritur të identifikojnë 28 persona si përgjegjësit kryesorë për pasojat e shpërthimit të 700 tonëve barut në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, mesditën e 15 marsit të vitit 2008. Sipas prokurorisë, të 28 të pandehurit ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Hetuesit e çështjes kanë njohur me aktet hetimore të pandehurit, dhe në prani të avokatëve mbrojtës të tyre u kanë dorëzuar atyre fashikullin e hetimit prej 8 mijë faqesh. Por mësohet se ushtarakët, megjithëse kanë kundërshtuar akuzat e ngritura, kanë firmosur kërkesën për gjykim. E njëjta gjë nuk ka ndodhur me ish-punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë kundërshtuar organin e akuzës, madje kanë debatuar me hetuesit e çështjes. Kështu që me njohjen me aktet e hetimit nga 28 të pandehurit, Prokuroria e Përgjithshme po përpilon kërkesën për gjykim dhe brenda datës 17 mars dosja do të përfundojë në duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Dosja
I gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-punonjësit e ministrit të Mbrojtjes, ka mundësuar ndërmarrjen "MEICO" dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL" të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces. Hetimet e kryera arrijnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke sjellë dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social-ekonomike dhe dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje.

Pasojat
Nga hetimi i çështjes është provuar dhe vërtetuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 të tjerëve, plagosjen e lehtë të 31 banorëve të zonës dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm njerëzish. Ndërkohë, si pasojë e këtij shpërthimit në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak nga akt-ekspertimi kontabël i datës 16 prill 2008, i Entit Kombëtar të Banesave, kapin vlerën 2039216418 lekë të reja. Gjithashtu, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një sërë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin e shoqërisë dhe më gjerë.

TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tenderë"
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
3. Agim Lala, ish-zvshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
4. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar, "shpërdorim detyre"
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, "shpërdorim detyre"
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, "shpërdorim detyre"
8. Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, "shpërdorim detyre"
9. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
11. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, "shpërdorim detyre"
11. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisionit të kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
12. Zenun Fero, anëtar i Komisionit të kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
13. Hysni Coçka, anëtar i Komisionit të kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
14. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisionit të kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
15. Fari Toska, anëtar i Komisionit të kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
16. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
17. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
18. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh, për "falsifikim dokumentesh"
20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan, për "falsifikim dokumentesh"
21. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
22. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
23. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
24. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"

TË PANDEHUR NË BURG
25. Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, "vrasje masive" në bashkëpunim
26. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil", "vrasje masive" në bashkëpunim
27. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil", "vrasje masive" në bashkëpunim
28. Sokol Gjeçi, ish-punonjës i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", "shpërdorim detyre"

Dëmshpërblimet

Bashkia e Vorës padit të dëmtuarit e Gërdecit

Duket se tragjedia e Gërdecit ka nisur të nxjerrë në pah edhe probleme të tjera të shfaqura gjatë periudhës së rehabilitimit të dëmeve nga ana e shtetit. Kështu mësohet se Bashkia e Vorës ka ngritur padi penale ndaj 44 të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit. Këta kryefamiljarë, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga shpërthimi vrastar i Gërdecit, duhet të paraqiteshin sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për t‘ju përgjigjur akuzës së ngritur ndaj tyre si debitorë ndaj shtetit. Kjo sepse pas ngritjes së një komisioni riverifikues për dëmshpërblimet e dhëna deri tani, rezulton se familjet e mësipërme kanë marrë shuma të konsiderueshme parash dëmshpërblim, të cilat nuk ju takojnë dhe për këtë arsye duhet t‘i kthejnë. Nga ana tjetër, banorët pretendojnë se gjithçka është bërë nga komisioni i dytë i dëmeve, i cili pa fakte ka ulur 10-fishin e shumës së caktuar nga komisioni i parë vlerësues. Kështu, nga 1.2 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim që u caktuan nga komisioni i parë, i dyti uli shumën në 90 mijë lekë të vjetra, çka do të thotë se banorët duhet t‘i kthejnë shtetit 1.1 milionë lekë të vjetra. Banorët nuk i pranojnë këto vlerësime dhe kërkojnë ngritjen urgjent të një komisioni tjetër vlerësimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›