E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po hap fushatën me mitingje mortore

Kryeministri Sali Berisha duket se nuk ka mundur ta kalojë në heshtje vendimin e opozitës për të protestuar më 15 mars, ditën e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Nga kolltuku i Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë preferoi t‘i kthejë përgjigje opozitës dhe kryetarit të saj, Edi Rama. Sipas Berishës, nuk mund të hapet fushata me mitingje mortore. "Opozita ka shpallur manipulimin me fatkeqësinë e të vdekurit, por kjo mbetet zgjedhja e saj. Nuk mendoj se mund të hapet fushata elektorale me mitingje mortore. Të hapësh fushatë elektorale me mitingje mortore do të thotë se merr përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndë, një dhunim të një kodi që është i shenjtë për shqiptarët", u shpreh Kryeministri. Më tej, para mediave, ai theksoi se qeveria ka vendosur kompensimin e dëmeve të krijuara nga aksidenti teknologjik në Gërdec. Për kreun e qeverisë, vendimi vjen pas rillogaritjeve dhe përllogaritjeve që janë bërë për dëmet në këtë zonë. "Ne, u shpreh Berisha, qëndrojmë të vendosur, ashtu siç edhe keni konstatuar, për rikthimin në një nivel tjetër të ri të infrastrukturës, të ndërtimit të banesave dhe gjithçkaje tjetër në zonën e traumatizuar". Kreu i qeverisë shprehu bindjen se drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë tragjedi. Kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani, pasi dosja nuk është paraqitur në gjykatë për shqyrtim. Në një deklaratë të bërë së fundmi për Gërdecin, Kryeministri pati sulmuar ashpër prokurorinë për procesin hetimor. I pyetur nga "Zëri i Amerikës" pak kohë më parë, ai tha se "ka një vit që botohen me qindra e qindra artikuj, nuk kanë qenë në gjendje të faktojnë as edhe elementin më të vogël të implikimit për korrupsion të zotit Fatmir Mediu". "Kam qenë i pari, u shpreh ai, e kam shtyrë dhe kam bërë çdo përpjekje që prokuroria ta hetojë në mënyrën më të gjithanshme". "I kam thënë zotit Fatmir Mediu që, në qoftë se ka një njeri në botë, që ka nevojë të hetohet, je ti. Dhe ka dhënë dorëheqjen. I kemi hequr imunitetin. Por ata që paraqitën kërkesën për imunitet, në mënyrë tërësisht sikundër s‘duhet të ishte, se ky ka anashkaluar ushtrinë, në një kohë kur janë mbi 30

dokumente, ku secili prej tyre ka jo më pak se 4 deri në 6 firma ushtarakësh. Ata fyejnë kombin e tyre, fyejnë parimet me të cilat drejtojnë, sepse në një vend të lirë, në një shoqëri të lirë, mund të bësh politikë me këtë mënyrë, por nuk bën dot kurrë drejtësi", nënvizoi Berisha. Kryeministri nuk u kufizua vetëm te prokuroria, por kaloi edhe tek ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësia e tyre në tragjedinë e Gërdecit. "Por çfarë ishte çështja? A ishte ushtarake, apo jo? Aq sa është

predha ushtarake, aq sa është baroti ushtarak, aq sa është depoja ushtarake, të gjitha këto ishin ushtarake. Pra, u përzgjodh një linjë, e cila vetëm përgjegjësinë nuk e nxjerr. Megjithatë, në qoftë se kemi reaguar, kemi reaguar se ajo ishte një fyerje, ishte një papërgjegjshmëri ekstreme, që mund të bëhej. Të gjithë

ishim dakord të hetohej", u shpreh Berisha. Por, sipas tij, të spostosh të tjerët, do të thotë të devijosh nxjerrjen e përgjegjësive. "Përse? Vetëm e vetëm, se në hierarkinë e tyre, dikush, diku, duhej të dilte krejtësisht i paprekur. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për hetimin", akuzoi Kryeministri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›