E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Ligji i diskriminimit,po dublon Avokatin e Popullit

 TIRANE - Institucioni i Avokatit të popullit vlerëson se projektligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi", duhet të kthehet për t'u ripunuar në përmbajtjen e tij. Në një korenspodencë të pak ditëve më parë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i kërkon Komisionit Parlamentar për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ripunimin e këtij projektligji në Ministrinë e Drejtësisë dhe në atë të Integrimit. Sipas Dobjanit, "përfshirja e këtyre dy ministreve në këtë proces është e domosdoshme".  Në 32 pika Dobjani shtron para Komisionit Parlamentar, mangësitë që, sipas Avokatit të Popullit, paraqet projektligji i ri. Madje sipas Dobjanit, institucioni i ri i pavarur që pritet të ngrihet pas miratimit të projekt-ligjit, në dispozitat ligjore të kompetencave të tij ka kopjuar Avokatin e Popullit. "Kreu 5 i projekt-ligjit, gjykojmë se, është një kopjim i dispozitave të Ligjit nr. 8454 'Për Avokatin e Popullit', për më tepër kopjim me gabime të natyrës së teknikës legjislative. Nga ana tjetër pavarësisht se ngritja e institucionit të pavarur, qendror, të Komisionarit për Mbrojtjen e Barazisë, na paraqitet si një risi, në të vërtetë, veçanërisht formulimi i dispozitave që përcaktojnë kompetencat e tij paraqitet shumë problematik", thuhet në korenspondencën e Dobjanit. Ai thekson se garantimi i respektimit të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi për çdo individ, mund të realizohet nga institucioni i Avokatit të Popullit. "Theksojmë se, institucioni tashmë i konsoliduar i Avokatit të Popullit, i cili ka një përvojë cilësore të mjaftueshme, infrastrukturë njerëzore dhe funksionale të ngritur, mund të marrë përsipër funksionin e garantit të respektimit të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi për çdo individ, funksion që ai e ka kryer brenda kompetencave të tij gjatë gjithë kësaj kohe. Pra, nuk ka pse këto funksione t'i lihen një institucioni të ri sikurse Komisionarit, kur ato mund t'i caktohen si zgjerim kompetencash Avokatit te Popullit, duke marre parasysh karakterin e tij rekomandues", pohonte Dobjani. Ndërkohë që në pikat e tjera të Dobjani parqet problematikat të karakterit teknik, si terminologjia jo e saktë, apo dispozita që duhet të shmangeshin, apo shtoheshin në draft. Projektligji "për mbrojtjen nga diskriminimi", u depozitua në Kuvend dy javë më parë dhe nga dispozitat e tij parashikohet mbrojta e personave të diskriminuar, përfshi edhe homoseksualët.   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›