Ruka: Kriza, bojkoti dhe protestat vunë në lëvizje BE-në dhe KiE
Aristir LumeziPS sensibilizoi faktorin ndërkombëtar përmes bojkotit dhe protestave. Sekretari për Burimet Njerëzore në PS, Ethem Ruka në një intervistë ekskluzive për "Panorama" thotë se ishte qëndrimi i PS-së përmes bojkotit dhe mbështetja e protestave popullore që vunë në lëvizje ndërkombëtarët, përfshirë këtu BE dhe Asamblenë parlamentare të KiE-së. Duke folur për mendimin ndryshe në PS, Ruka thotë se në PS nuk ka imponim të mendimit, ndërsa asnjëherë nuk është folur për penalitete apo çregjistrime nga partia. Zoti Ruka, PS ka rreth 5 muaj që vazhdon bojkotin e saj me parlamentin. Sa efikas sipas jush ka qenë ky bojkot?Më duhet të theksoj qartazi që në fillim se bojkoti i PS lidhet me një nga kërkesat më jetike të shëndetit të demokracisë në vend, pra me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pa arritur këtë standard nuk mund të ketë një Shqipërie të lirë evropiane dhe euroatlantike. Kjo është pika nevralgjike, është thembra e Akilit, pa zgjidhjen e së cilës kot rrekemi me demagogji për të gënjyer veten dhe aleatët tanë strategjikë se në këtë cep të Ballkanit gjithçka ecën në rregull. Sigurisht që bojkoti ka sjellë një krizë të rëndë politike në vend, por përgjegjësia nuk është aspak e PS, por e maxhorancës, që në mënyrë konstante ka reaguar negativisht ndaj kërkesave të opozitës për të fshehur të vërtetën e hidhur që fshihet në kutitë e votimit. Kërkesat e opozitës që tashmë shtrihen edhe përtej të majtës opozitare, nuk janë thjesht një kërkesë e një lidershipi të dëshpëruar, por kërkesë e disa qindra mijëra shqiptarëve. është hera e parë që goditet në targetin e së keqes në plagën e plagëve të këtij vendi, në paaftësinë për të organizuar zgjedhje të lira. Më troç fokusi i luftës së opozitës është për t'i dhënë fund krimit elektoral, si inkubatori i të gjitha krimeve të tjera. Kjo është arsyeja pse pushteti i sotëm po derdh të gjitha bateritë mbi opozitën për të fshehur të vërtetat e hidhura të zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoni se bojkoti e ka dëmtuar PS-në?Bojkoti i imponuar i PS-së nuk është një dukuri që ka kaluar heshturazi si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ai jo vetëm që ka trazuar rëndë jetën politike të vendit, por gjithmonë e më shumë ka tërhequr edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e krizës në vend. Në këtë proces, janë përfshirë tashmë blloqet politike evropiane të majta e të djathta, parlamentarët e Bashkimit Evropian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës etj. Rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës konfirmoi krizën politike, e cila nuk pranohet nga lidershipi i PD, konfirmoi kërkesën tonë për hetim të gjerë parlamentar, i cili sipas nesh pa hetimin e përmbajtjes së kutive nuk mund të ketë asnjë kuptim, pranoi prezencën ndërkombëtare përmes reporterëve në zgjidhjen e kësaj krize e veçanërisht rolin që duhet të luajë Presidenti i Republikës në dialogun politik, rol të cilin PD e kundërshtoi me forcë. Për fat të keq deklarimet e bëra nga shumë përfaqësues të pozitës lidhur me rezolutën, treguan se nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj rezolute. Nëse në Shqipëri nuk do të kishte probleme, nëse opozita nuk do të kishte shtruar kërkesat e saj për gjatë gjithë këtyre muajve, nuk kishte asnjë arsye që të propozohej dhe miratohej një rezolutë për Shqipërinë. Kemi dëgjuar shumë zëdhënës e zëdhënëse të maxhorancës të akuzojnë Kryetarin e PS-së Edi Ramën se ka bërë thirrje për marrje të pushtetit me dhunë. Ky është një abuzim i pastër me të drejtën e fjalës së lirë në demokraci. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë zotit Rama as i ka shkuar mendja dhe as e ka artikuluar një gjë të tillë. Në se protestat paqësore si një e drejtë demokratike quhen revolucion me dhunë, ky do të ishte reagimi i pastër i tipit marksist. Mund të më thotë ndonjëri nëse në protestat tona ka pasur ndonjë shenjë dhune siç ka ndodhur rëndom në protestat e organizuara vite më parë nga doktori? Bojkoti i deputetëve socialistë ka lejuar maxhorancën të miratojë në kuvend disa ligje të cilat janë kontestuar jashtë tij nga opozita si antikushtetues. Mungesa e deputetëve socialist në kuvend, mendoni se pengon ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjeve të tilla si Moratoriumi për skafet, Inspektorati special i Ndërtimit etj, para se ata të fillojnë të veprojnë dhe të kenë efekte negative në jetën dhe pronën e qytetarëve?Sigurisht që parlamenti nuk mund të funksionojë normalisht pa pasur opozitën. Deri më sot parlamenti shqiptar bën vetëm monolog në vend të debatit demokratik. Janë kaluar një sërë ligjesh pa oponencën parlamentare të opozitës. Padyshim që kjo nuk është aspak një gjë e mirë, megjithëse edhe kur opozita ka qenë në parlament, kartonët e shumicës kanë funksionuar sikur opozita të mos kish shfaqur asnjë opinion kundër. Megjithëse parlamenti nuk mund të funksionojë normalisht pa opozitën, kjo nuk do të ishte një arsyeje e mjaftueshme për tu tërhequr nga kërkesat dhe për të shkuar në parlament. Mendoj se duhet korrigjuar një gjë më e madhe, nga e cila rrjedhin shumë të këqija të tjera. Bojkoti do të marrë fund pasi të jetë garantuar zgjidhja e kërkesave tona edhe në frymën e Rezolutës së Këshillit të Evropës.Në mënyrë të përsëritur është thënë se mandatet e deputetëve socialistë nuk do të "digjen". Kjo mendoni se do të vijë për shkak të hapjes së kutive, për shkak të hyrjes së deputetëve socialistë në kuvend apo të mos dërgimit në KQZ të kërkesës nga kuvendi për zëvendësimin e deputetëve?E gjithë loja për djegien e mandateve është një diversion i pastër dhe presion mbi opozitën për t'u tërhequr nga kërkesat e parashtruara për hapjen e kutive të votimit. Edhe Zonja Topalli edhe Zoti Berisha e di që kjo gjë nuk do të ndodhë. Ato mandate janë të disa qindra mijëra shqiptarëve dhe jo thjesht të disa dhjetëra deputetëve si individë. Ajo që mund të them me siguri lidhet me faktin që askush nuk do t'i djegë dot mandatet e PS. Për këtë janë të bindur shumica dërmuese e deputetëve tanë si dhe e gjithë elektoratit që na mbështet. është më mirë të mos merremi me këtë çështje anësore e cila largon vëmendjen nga kërkesa themelore për zbardhjen e të vërtetave të hidhura të zgjedhjeve të fundit. Disa deputetë socialistë janë shprehur se do të hyjnë në kuvend para datës 6 mars. Mendoni se ndaj tyre do të ketë largime apo çregjistrime nga PS?Po është e vërtetë që disa kolegë tanët nuk ndajnë të njëjtin mendim për qëndrimin ndaj këtij parlamenti në referencë me kërkesat e shtruara nga opozita për zgjedhjet e fundit. Kjo është çështje e gjykimit të gjithsecilit. Pavarësisht nga opinioni ndryshe për këtë çështje, në asnjë rrethanë dhe në asnjë forum nuk është denigruar askush, nuk është diskutuar asnjëherë për penalitet apo çregjistrime. Qëndrimi i PS dhe i elektoratit të saj nuk ka për të ndryshuar në lidhje me kërkesat e saj, pavarësisht nga këndvështrimi që kanë disa nga kolegët tanë. Grupi parlamentar i PS është i bindur në këtë çështje. Edi Rama nuk ka asnjë mekanizëm dhe asnjë pushtet ekzekutiv për t'i detyruar deputetët e kësaj partie të sillen si ushtarë. E vetmja forcë që ka Rama është bindja që ka krijuar se zbardhja e zgjedhjeve në Shqipëri do të bëjë këtë vend si të gjitha vendet e tjera ku zgjedhjet nuk kontestohen, por pranohen. Zgjedhjet për pushtetin vendor zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë nga sot, ndërsa PS gjendet ende e fokusuar në bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. E dobëson ky pozicionim PS në përgatitjet për këto zgjedhje, apo mendohet se pa u hapur kutitë nuk do të ketë për PS zgjedhje të tjera?Aspak. Ky pozicion nuk e demotivon aspak elektoratin tonë për zgjedhjet e ardhshme administrative. Më duket e tepërt të jap argumente për një çështje parimore si ajo që lidhet me transparencën e zgjedhjeve. Pa këtë transparencë nuk ka për të pasur ndonjëherë zgjedhje të lira e të ndershme, qofshin ato parlamentare apo lokale. Kjo farsë e shëmtuar duhet të marrë fund përfundimisht ne Shqipëri. Vetëm atëherë vendi ynë do të fitojë imazhin e duhur përballë miqve tanë që duan të na bëjnë pjesë të vetes. Ish nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi ka kërkuar nga maxhoranca që në negociata me opozitën t'i lerë asaj të zgjedhë Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtues të institucioneve Kushtetuese. është kjo pjesë e një platforme të PS për të hyrë në negociata me maxhorancën?Në PS asnjëherë nuk është diskutuar ndonjë paketë e tillë në shkëmbim të faljes së pandershmërisë së zgjedhjeve. Deklaratat që dëgjohen poshtë e lartë për gjoja kërkesa të tilla në suazën e një platforme të fshehtë janë vetëm trillime dhe aspak të vërteta. Ato kanë vetëm një qëllim, largimin e vëmendjes nga kërkesat publike të parashtruara nga PS.