Tentativë vrasje te blloku, në gjyq i riu
TIRANE - Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim dosjen në ngarkim të dyshuarit si autor i plagosjes me armë zjarri të një kamarieri të zonës së "ish-bllokut" në kryeqytet. Burime zyrtare pranë gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur depozitimin në sekretarinë e kësaj gjykatë të dosjes në ngarkim të Leonard Sakut. Sipas prokurorisë Saku akuzohet për "vrasje me dashje, mbetur në tentativë" dhe "mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve dhe municionit luftarak". Mësohet se dosja në ngarkim të Sakut në Gjykatën e Tiranës do të shqyrtohet nga gjyqtari Kreshnik Omari. Ngjarja për të cilën është vënë nën akuzë Saku u shënua mbrëmjen e vonë të 15 korrikut të vitit të kaluar teksa ishte në shoqërinë e dy shokëve të tij. Pasi janë konfliktuar me një grup personash në një nga lokalet e "ish-Bllokut" Saku është ka ushtruar dhunë mbi kamarierin e lokalit. Sipas prokurorisë, më pas ai ka qëlluar drejt kamarierit me pistoletë duke e plagosur rëndë atë. a.b