E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Vendi në zgjedhje të parakohshme

  Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kreu i PDK-së Nard Ndoka përshëndeti rezolutën e Asamblesë Parlamentarë të KiE duke e konsideruar atë si "një kontribut real dhe shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të deformuara të 28 qershorit". Duke kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Ndoka ka nënvizuar se kriza do të zgjidhet vetëm atëherë kur të largohet nga pushteti Sali Berisha dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. "Kjo krizë politike zgjidhet vetëm nëpërmjet hetimit të zgjedhjeve, zbardhjen e së vërtetës mbi manipulimet masive, mbi numërimin e votave dhe largimin e kryeministrit që qëndron në detyrë me vota të vjedhura. Kjo krizë politike ka vetëm një zgjidhje politike, që mund të arrihet nëpërmjet një konsensusi politik për krijimin e një qeverie teknike dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme brenda këtij viti", përfundoi Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›