Dobjani: “Nishani të marrë masat për procesin e pasaportave Biometrike”
Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani të marrë masa për procesin e pasaportave Biometrike. Pas një inspektimi jo vetëm në të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet, por edhe në rrethinat e Tiranës dhe në qytetin e Durrës, komisionerët kanë vërejtur disa shkeljet për realizimin e këtij procesi. Dobjani nëpërmjet rekomandimit zyrtar i ka kërkuar Nishanit që të dyfishojë punonjësit për shkak dhe të fluksit të punës pas ardhjes së emigrantëve për pushimeve verore. “ Kërkojnë marrjen e masave të nevojshme për rritjen e numrit të punonjësve dhe posteve të punës nga 2 në 5 për realizimin e aplikimeve për pasaporta biometrike dhe letërnjoftime të aplikantëve në Njësitë Bashkiake Nr. 5 dhe nr. 10. Mundësisht në Njësinë Bashkiake Nr. 5 të merret ambient me qira jashtë zyrave të kësaj njësie, sepse ambienti aktual është shumë i vogël dhe krijon konfuzion”, thuhej në shkresën e Avokatit të Popullit. Më tej ai kërkon që masa të merren edhe për rritjen e numrit të punonjësve dhe posteve të punës për realizimin e aplikimeve për pasaporta biometrike dhe letërnjoftime në të gjitha bashkitë dhe minibashkitë, sidomos deri me 15 shtator 2009. Udhëzimin e personelit që realizon procesin për afishimin në hyrje të ambienteve ku kryhen aplikime për letërnjoftime dhe pasaporta të orareve faktike të punës dhe dokumenteve që duhet të paraqesin qytetarët për të aplikuar.
Gjen vdekjen duke punuar me hekurat 52-vjeçari
Pogradec – Fund tragjik ka pësuar një 52-vjeçar në qytetin e Pogradecit, pasi u përfshi në një incident në punë e sipër në punishten e tij të përpunimit të hekurit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen Nr. 1 të qytetit buzë liqenit. Refki Zelollari, lindur në Alarup të Pogradecit dhe banues në lagjen Nr. 1 të këtij qyteti, ka qenë duke punuar në ambientin e tij të punës, një pikë tregtie hekuri afër shtëpisë. Në një moment ende të paqartë, gjatë punës në bangon e kthimit të hekurit, kjo e fundit ka rënë në masë me rrymën elektrike dhe për pasoje ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij. Policia, e informuar për këtë ngjarje, tha se ka nisur hetimet dhe po përpiqet të zbardhë qartësisht rrethanat e vdekjes së 52-vjeçarit.
29 Korrik 2009