E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në ndërtim, kompanitë në rrethe nuk paguajnë detyrimet në Tatime



Ervin KOÇI

Sektori i ndërtimit është duke kaluar një krizë ekonomike të gjithanshme, gjë e cila më së miri pasqyrohet edhe në derdhjen e taksave dhe tatimeve pranë institucioneve shtetërore. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kompanitë ndërtuese janë konsideruar në 5 muajt e fundit ndër tatim-paguesit më të këqij, për sa i përket derdhjes së detyrimeve tatimore. Nga janari deri në muajin maj, detyrimet e këtyre subjekteve në tatime kanë rënë me mbi 25 për qind, gjë që ka alarmuar administratën tatimore. Ky fenomen është konsideruar si më problematik nëpër rrethe, ku drejtoritë tatimore të disa qarqeve, si Durrësi, Fieri, Vlora dhe Elbasani, shfaqin bilancet më negative, ose thënë ndryshe kompanitë e ndërtimit në këto qytete janë ndër borxhlinjtë më të mëdhenj në tatime. Nga sa mësohet këto kompani kanë probleme edhe me derdhjen e detyrimeve pranë organeve të pushtetit vendor, ku shkak sipas këtyre të fundit është bërë kriza që ka prekur këtë sektor. Sa herë që ekipet e tatimorëve dhe policisë bashkiake shkojnë për të detyruar ndërtuesit që të paguajnë taksat, këta të fundit shprehen se nuk kanë para pasi nuk po shesin më asnjë metër katror ndërtim të përfunduar. Kriza që ka prekur sektorin e ndërtimit në rrethe, ka bërë që të bien edhe çmimet për metër katror, edhe pse në disa qytete bregdetare, si Durrësi, Vlora dhe Saranda, çmimet vazhdojnë të jenë akoma të larta në disa zona.

Kriza

Kriza ka mbërthyer sektorin e ndërtimit jo vetëm në kryeqytet ku shënohet edhe bumi i tij, por edhe nëpër qytetet më kryesore të vendit, ku niveli i ndërtimeve ka rënë ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Përveç Tatimeve krizën në këtë sektor e kanë ndjerë edhe organet e pushtetit lokal, të cilat vilnin jo pak taksa prej kompanive të ndërtimit. Sipas zyrave të tatim-taksave në disa prej qyteteve kryesore të vendit, mësohet se nga kompanitë ndërtuese bashkitë siguroni çdo vit të ardhura që shkonin në disa dhjetëra miliona euro. Kompanitë e ndërtimit ishin dhe një katalizator i mirë për zbutjen e fenomenit të papunësisë nëpër qytet kryesore të vendit, pasi ato angazhonin në punë një pjesë të mirë të krahut të lirë të punës. Por viti 2009 ka nisur me regres për këtë sektor i cili jo vetëm që nuk po bën më derdhjet e pritura në arkat e bashkive, por po shton edhe numrin e të papunëve të cilët po krijohen nga mbyllja e aktivitet të kompanive ndërtuese. Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndërtuesve, kompanitë e ndërtimit në rrethe janë përballur seriozisht me efektet e krizës, pasi shitjet u kanë rënë ndjeshëm dhe shumë subjekte janë bllokuar pasi nuk po shesin më shtëpi dhe lokale. Po kështu ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit ka rënë ndjeshëm edhe kërkesa nga ana e emigrantëve për blerje apartamentesh ose lokalesh për qëllime biznesi.

Çmimet

Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë për tregun e banesave, situata bëhet edhe më e vështirë po ti shtosh këtu edhe problemin e rënies së kredi-dhënies për pasuritë e paluajtshme, e cila ra në rreth 149.8 miliardë lekë. Ekspertët e BSH-së në këtë raport kanë parë me pesimizëm edhe nevojën që mund të kenë emigrantët për të blerë pasur të patundshme, kryesisht apartamente. Sipas tyre, këtë vit, kriza ekonomike që ka prekur vendet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë ka sjellë efektet edhe në sektorin e ndërtimit në vend i cili kryesisht bazohej tek blerjet e emigrantëve. Sipas të dhënave të raportit tregohet se, çmimet në tregun e banesave nuk kanë reflektuar plotësisht ecurinë e kostove të ndërtimit që kanë ardhur në rënie prej vitit 2008, duke nënkuptuar uljen e marzheve të fitimit për industrinë e ndërtimit. “Ecuria e çmimeve të banesave, është me rëndësi për industrinë e ndërtimit, për publikun dhe për sistemin financiar në vend. Për vetë rolin që banesat dhe pasuritë e tjera të patundshme luajnë në konsumin afatgjatë të qytetarëve, në sektorin bankar dhe në sistemin financiar, njohja e ecurisë së çmimit të tyre dhe e faktorëve që shkaktojnë ndryshimin e kësaj ecurie, merr rëndësi të madhe”, - thekson raporti i BSH-së. Në tremujorin e fundit të vitit vihet re një zhvendosje drejt formës “overdraft”, ku pesha e kësaj të fundit ka arritur në nivelin 25 për qind. Në të njëjtën kohë, pesha e kategorisë “investime për pasuri në paluajtshme” bie në nivelin 43 për qind.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›