E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi “Remzi Hoxha”, prokurori kërkon arrestimin e dëshmitarit për dëshmi të rreme



Tiranë - Prokurori i dosjes “Remzi Hoxha” kërkoi arrestimin në sallën e gjyqit të dëshmitarit të radhës në procesin te Krimet e Rënda. Prokurori Xhevat Hana gjatë seancës së djeshme kërkoi arrestimin e ish-inspektorit të Vëzhgimit pranë Shërbimit Informativ Kombëtar, Shpend Dibra. Prokurori ngriti akuza për dëshmi të rreme ndaj ish-inspektorit të SHIK-ut duke kërkuar prangosjen e tij. Sipas prokurorisë, Shpend Dibra ka shoqëruar Ziso Kristopulin, një nga të rrëmbyerit, së bashku me Remzi Hoxhën, nga Ksamili në drejtim të bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës. Përballë kësaj kërkese, kolegji penal u shpreh se nuk ka kompetencë për arrestimin e një personi. Sipas tyre në rastin në fjalë duhej ndjekur procedura e prerjes së flete arrestit, e me pas tu drejtohet organeve kompetente. E gjithë kjo situatë u krijuar për shkak se dëshmitari deklaroi se ka qenë në Sarandë ditën e rrëmbimit të Ziso Kristopulit, ka darkuar atje me ish-shefin e Bazës së Vëzhgimit të SHIK-ut, Avni Koldashin por, nuk mbante mend të kishte shoqëruar persona, duke hedhur poshtë kështu akuzën e prokurorisë. Pas kësaj deklarate menjëherë reagoi prokurori Hana. Ky i fundit shpjegoi para gjykatës se në dëshminë që ishte përfshirë në dosje dëshmitari Dibra e kishte pranuar se kishte shoqëruar Remzi Hoxhën me urdhër të shefave të tij të asaj kohe. Sipas përfaqësuesit të akuzës, dëshmitari jo vetëm që po devijonte nga dëshmia e tij por ai po jepte një dëshmi të tjetërsuar në seancën e djeshme.
Dëshmitë
Gjatë procesit për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha nuk kanë munguar dhe dëshmitë e rëndësishme të cilat flisnin për një bazë në Vain të Lezhës ku njerëzit silleshin me kapuç në kokë. Disa seanca më parë, dëshmitari Viktor Sokoli dëshmoi se në bazën në Vain të Lezhës silleshin persona të mbuluar me thes në kokë. Madje roja e përmendi edhe emra konkretë para trupit gjykues. Ai u shpreh se kishte parë një oficer të SHIK-ut me emrin Budjon që kërcënonte Remzi Hoxhën. Këtë dëshmi roja pranoi se ia kishte pohuar edhe dy vjet më vonë drejtorit të bazës së Vainit.
Procesi
Tre ish-SHIK-asit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës 14 vite më parë në Tiranë. Gjithashtu, mbi supet e tyre rëndon akuza e “rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt”. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut. Aty pengjet janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›