E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet nga policia, grabiti mushken e bashkefshatarit



Pogradec – Forcat e policisë kanë ndaluar 23-vjeçarin Ergent Çollaku, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania” ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ai kishte vjedhur një mushkë në pronësi të Jordan Nikollës. Më 3 korrik mushkën e vjedhur ai ia kishte shitur njëherë një personi të quajtur Bujar Brama nga fshati Memelisht i Pogradecit dhe më pas ia kishte marrë përsëri për t’ia shitur Jordan Nikollës. U kryen veprimet procedurale dhe materialet për hetime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë së Pogradecit.

Gjendet i mbytur në shatërvan endacaku rom 4-vjeçar

Durrës – Një fëmijë 4-vjeçar është gjetur i mbytur dje në mëngjes në një nga shatërvanët e qytetit të Durrësit. Sipas të dhënave policore, punonjësit e bashkisë e kanë gjetur trupin e mbytur të fëmijës brenda në shatërvan rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm. Burimet e policisë së qytetit të Durrësit bëjnë me dijeni se ai ishte një fëmijë endacak, i cili banonte në qytetin e Fierit. 4-vjeçari rom, i quajtur Adrian Cici ka shkuar të luante në shatërvan, ku për shkaqe ende të panjohura gjeti edhe vdekjen. Ai u gjet nga punonjësit e pastrim-gjelbërimit që ndodheshin aty pranë, të cilët arritën ta nxirrnin nga uji sapo e kanë parë, por gjatë rrugës në spital ai ka humbur jetën, duke mos mundur të shpëtojë dot.

I vjedhin banesën policit të krimeve, i marrin edhe pistoletën

Durrës - Në Shkozet të Durrësit është konstatuar vjedhja e banesës së Shkëlqim Gjeçit, me detyrë agjent i Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Lidhur me këtë ngjarje, burimet policore bëjnë me dijeni se kanë kryer të gjitha veprimet e para hetimore. Nisur nga deklarimi i pronareve të banesës janë konstatuar të vjedhura 1 pistoletë e tipit TT me nr. 28009349, (e regjistruar në polici, pasi është arma personale e punonjësit të policisë) dhe 100 mijë lek e disa bizhuteri. Ngjarja ka ndodhur në momentet që në banese nuk ka pasur njeri, pasi të gjithë ndodheshin me pushime. Po vazhdon puna për identifikimin e kapjen e autorëve të kësaj ngjarje, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Vetëhelmohet me fotoksinë, humb jetën në spital 64-vjeçari

Shkodër - Në urgjencën e Spitalit Rajonal në Shkodër është dërguar i vetëhelmuar në gjendje të rëndë për jetën, Preng Ndokaj, banues në Vaun e Dejës. Burimet për gazetën “Albania” bëjnë me dije se me gjithë ndihmën e dhënë në urgjencën e spitalt Ndokaj nuk ka arritur të shpëtojë dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Sipas mjekëve, 64-vjeçari është vetëhelmuar me fotoksinë. U kryen veprimet e para procedurale dhe po punohet për shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Shkodrës.

Shqipëria edhe 120 trupa më shumë në Afganistan

Tiranë - Shqipëria do të rrisë prezencën e saj ushtarake në Afganistan me një shtesë prej 120 ushtarësh të tjerë. Njoftimi bëhet zyrtar nga Ministria e Jashtme, sipas të cilës rritja e kontributit ushtarak në Afganistan në mbështetje të forcave aleate bëhet në prag të zgjedhjeve të ardhshme Presidenciale të 20 gushtit 2009, të cilat konsiderohen shumë të rëndësishme për këtë vend. Kështu 120 ushtarë shqiptarë do dislokohen në komandën e perëndimit në Herat ku do ti bashkohen njësisë shqiptare, pjesë kjo e kontingjentit që udhëhiqet nga Italia në komandën rajonale të perëndimit.

Denoncojnë vjedhjen e një makine dhe motoçiklete, policia në kërkim të autorëve

Durrës - Në Drejtorinë e Policisë së Durrësit janë paraqitur dy persona të cilët kanë denoncuar njëri vjedhje të motoçikletës, ndërsa tjetri të automjetit të tij. Sipas të dhënave policore, i pari quhet Mirush K. dhe ka bërë kallëzim penal se duke bërë pazar në treg, kur është kthyer ka konstatuar vjedhjen e motoçikletës së tij tip “Zunkshen” me targë DR 259 B. Ndërsa personi i dytë, Ahmet I., ka bërë kallëzim se ka konstatuar vjedhjen e automjetit “Mercedez Bens” 250 D me targë DR 2974 E. U kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›