E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohen kreditë e këqija, ekspertët: “Në fund të vitit do të kalojnë mbi 10 për qind”



Ervin KOÇI

Bankat tregtare në vend duket se këtë vit janë në telashe si pasojë e thellimit të portofolit të kredive të këqija, të cilat u janë kredituar klientëve të ndryshëm. Vetëm pak ditë pas deklaratës së Presidentit të BERZH, Tomas Mirrow, mbajtur në një takim në Institutin e Vjenës, ku tha se “rritja e kredive të pashlyera dhe gjendja e vështirë financiare e biznesit në rajonin e Ballkanit po shoqërohet me papunësi dhe përkeqësim të bilancit të bankave”, kanë ardhur edhe reagimet e ekspertëve shqiptar të ekonomisë. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i cili prej më se dy vjetësh ka dhënë deklaratat e para për rrezikun që mund t’i vijë ekonomisë së vendit por edhe bankave nga thellimi i portofolit të kredive të këqija, ka sqaruar për gazetën “Albania” disa nga problemet më kryesore. Sipas tij, vendi tani ndodhet përball një fenomeni që po precipiton me shpejtësi dhe që nuk është asgjë tjetër përveç se një prej pasojave që vijnë prej krizës financiare ndërkombëtare. “Duhet të jemi të qartë se portofoli i kredive me probleme po thellohet me shpejtësi. Deri në fund të vitit ky vëllim do të kalojë edhe kufirin e 10 përqindëshit të vendosur nga vet BSH-ja”- ka deklaruar ish-guvernatori Cani. Kjo situatë sa vjen dhe po bëhet më e qartë, ku çdo muaj prej BSH-së por dhe prej vet bankave tregtare në mënyrë konfidenciale është pranuar problemi në rritje me kreditë e këqija që nuk po vjen në masën e duhur. Sipas Canit, “situata do të ketë ndikim të drejtë për drejtë në fitimet e bankave private në fund të vitit, të cilat sikur të dalin me një fitim zero, përsëri duhet ta konsiderojnë si sukses. Por nuk mund të përjashtohet as opsioni që bankat të dalin dhe me humbje”. Ish-guvernatori ka përmendur si fakt shqetësues mosfrenimin gjatë viteve të nivelit të lartë të kreditimit, i cili në një pjesë të madhe të rasteve u kthye në serum për të mbajtur pjesë të vdekura të ekonomisë së vendit.

Fenomeni

Shumë banka tregtare kanë dhënë kredi në shuma të konsiderueshme për kompanitë e biznesit dhe subjekte të ndryshme në vend, në një kohë që garancia për këto para të dhëna ka qenë minimale. Në mjaftë raste, shumë kompani biznesi kanë marrë kredi në banka, sidomos gjatë dy viteve të fundit, jo për të zhvilluar aktivitetin e tyre apo për të përmirësuar teknologjinë, por për të paguar pagat e punëtorëve, taksat dhe borxhet ndaj kompanive partnere. Ky fenomen jo vetëm që thelloi regresin ekonomik të këtyre kompanive duke i zhytur edhe më thellë në borxhe, por zgjeroi pafund edhe portofolin e kredisë të dhënë nga bankat tregtare. Sipas ish-guvernatorit Cani, “fenomeni i kreditimit pa pasur garanci të forta dhe pa e evidentuar paranë që investohej nga bankat, bëri që ai me shpejtësi të përhapej pasi shihej si mundësi shpëtimi për momentin, por vetëm sa rriste borxhet e kompanive karshi bankave. Nga ana tjetër kjo bëri që bankat të hidhnin në një treg që ishte si një gropë e zezë sasi të mëdha likuiditeti dhe sot janë përballë faktit që nuk e grumbullojnë më atë”. Sipas Canit, për të evidentuar më mirë këtë fenomen ka ndihmuar tashmë edhe regjistri i kredive, i cili duhej të ishte vënë shumë më përpara në funksionim prej BSH-së. Cani shprehet më tej se, të avashta dhe aspak vendimtare kanë qenë dhe masat që janë marrë gjatë këtyre dy viteve të fundit nga Autoriteti Qendror bankar në vend, i cili nuk është treguar aspak fleksibël në manovrimin e kësaj situate. “Tani jemi përballë një rruge pa kthim, ku bankat do ta kenë mjaftë të vështirë që të mbledhin paratë e tyre. Sa më shumë të thellohet kriza, aq më të vështirë do ta kenë kompanitë dhe qytetarët që të shlyejnë kreditë. Kjo do të bënte që bankat të ktheheshin në grumbulluese ose sekuestruese të mëdha të pronash dhe objektesh të patundshme”.

Kriza

Jo më Banka e Shqipërisë por ka qenë vet kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që nëpërmjet një deklarate të pak ditëve më parë sqaroi se, kreditë e këqija në të gjithë vendet në zhvillim po pësojnë një rritje të shpejtë. BERZH-i vëren se kreditë e këqija po rriten në mbarë rajonin, por në disa vende, si Turqia, Shqipëria, Rumania dhe Ukraina, ato janë dyfishuar brenda një viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Shoqata e Bankave, kreditë me probleme në Shqipëri u rritën ne fund të muajit maj 65 miliardë lekë, ose rreth 2 herë me shumë se një vit më parë. Nëse do t’i shohim si tremujor, kemi një dyfishim të portofolit të kredive të këqija si në vlerë, ashtu edhe në përqindje krahasuar me dhjetorin 2008. Sipas Shoqatës së Bankave, rezulton se ka një rritje prej 10 milionë dollarësh vetëm të zërit “kredi të humbura” brenda një muaji. Në janar të vitit 2009, kreditë e humbura në portofolin bankar llogariteshin rreth 5 milionë dollarë, ndërsa dy muaj më vonë ato arritën rreth 70 milionë dollarë. Edhe dy kategoritë e tjera të asaj shporte, që janë “kreditë toksike” të sistemit bankat vendas, kanë pësuar rritje, duke sjellë humbje shtesë. Ende nuk dihet sesi do të mbulohen këto humbje që bankat po kalkulojnë çdo ditë. Sipas BERZH-it, rritja e kredive të pashlyera dhe gjendja e vështirë financiare e biznesit në rajon, po shoqërohen me papunësi dhe përkeqësim të bilancit të bankave. Ekspertët e BERZH-it theksojnë se kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe sugjerojnë si masa kryesore ristrukturimin e borxhit privat, reduktimin e rrezikut nga kursi i këmbimit dhe përmirësimin e bilanceve të bankave përmes kapitalizmit të tyre.

BOX////////////////////////////
Bankat rezultojnë me humbje, kredia e keqe shkon në 8.9 %

Bankat kanë dalë me humbje për muajin maj të këtij viti. Situata ka qenë në përkeqësim gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Shoqata e Bankave bën të ditur se dy treguesit që masin performancën e sistemit bankar, “ROA” dhe “ROE”, janë negativë. Nga ana tjetër, statistikat, po të marra nga Shoqata e Bankave, japin një indeks të kredive të këqija prej 8.9 për qindësh, i matur ky ndaj shkallës së portofolit total të kredive. Në muajin prill, treguesi i kredive të këqija ka qenë 8 për qind, ndërsa në muajin mars 7.6 për qind. Në fillim të vitit 2009 rezulton se treguesi i kredive të këqija të ketë qenë rreth 6 për qind. Rritja e shpejtë e kredive të këqija në harkun kohor të një viti mbetet një shqetësim i vazhdueshëm i institucioneve financiare. Kufiri prej 10 për qindësh, sipas ekspertëve, mbetet një nivel i rrezikshëm për ekonominë dhe për sistemin bankar në veçanti. Bankat tashmë kanë ulur ndjeshëm edhe dhënien e kredive, për shkak të rreziqeve shtesë, por kjo masë duket se nuk është në favor të tyre. Duke mos pasur një rritje normale të portofolit, kreditë e këqija vazhdojnë që të jenë gjithmonë në një përqindje më të lartë se më parë. Mospagimi i kredive vjen kryesisht për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike që po kalojnë bizneset dhe individët. Gjatë muajve të fundit, shumë kredimarrës kanë humbur aftësinë paguese. Eksportuesit kanë shtyrë pagesat e kësteve për shkak të rënies së kërkesës nga jashtë, një pjesë e kredimarrësve individualë kanë humbur vendet e punës etj. Për pasojë, edhe pse kriza e bilancit të pagesave u shmang me sukses, kreditë e këqija në vend po rriten me shpejtësi. Te kreditë e këqija klasifikohen kreditë që nuk janë shlyer për një periudhë disamujore. Përveç tyre, edhe 7.7 për qind të tjera janë kredi të vonuara për disa ditë apo disa javë. Kreditë e këqija janë rritur me shpejtësi në Shqipëri gjatë muajve të fundit, por megjithatë, ato nuk përbëjnë ende rrezik për stabilitetin financiar të bankave. Deri tani, kreditë e këqija kanë "ngrënë" fitimet që bankat realizojnë zakonisht.

Kartat e kreditit, kriza e ardhshme e bankave

Bankat kredituese në Europë po përgatisin veten për t‘u përballuar me një valë të re falimentesh të klientëve të tyre individualë, gjë që sipas ekspertëve mund të shkaktojë disa qindra miliardë euro humbje, njoftoi dje "Financial Times". Në SHBA, bankat duket se e kanë tretur pjesën më të madhe të "supës së hidhur" të kredive të këqija, ndërkohë që për bankat europiane diçka e tillë sapo ka filluar. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rreth 7 për qind e kredive prej 2.5 triliardë dollarësh mund të humbasin përgjithmonë dhe Britania e Madhe do të jetë më e goditura. Humbjet pritet të shkaktohen para së gjithash nga paradhëniet dhe kreditë e lëshuara përmes kartave të kreditit. Besohet se ushtria e madhe e njerëzve në Europë, që humbi vendin e punës nga kriza, ka përdorur me tepri kartën e kreditit, në pritje të gjetjes së një pune të re. Të dhënat nga Britania bëjnë të ditur se nga muaji në muaj, numri i njerëzve që njoftojnë pamundësi pagese për detyrimet e veta është rritur. Në maj, 41 mijë të tillë ngritën duart, dy herë më shumë se një vit më parë. Problemi më i madh duket se po shfaqet në SHBA, ku numri i njerëzve që nuk kanë shlyer kartën e kreditit është më i madh sesa numri i atyre që kanë humbur vendet e punës. Bankat europiane pritet të publikojnë rezultatet e tyre financiare për gjysmën e parë të vitit gjatë javës së ardhshme dhe shumë prej tyre kanë paralajmëruar sakaq për humbjet që mund të dalin.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›