Mospagesa e taksave, Tatimet gati sekuestrimet për kompanitë “rebele”
Subjektet private që iu shmangën gjatë muajve të fundit pagesës së taksave dhe tatimeve duke përfituar nga rrëmuja elektorale, nuk do të tolerohen në asnjë moment. Tatimet kanë intensifikuar këto ditë kontrollet mbi bizneset, në një kohë që kjo administratë ka hartuar dhe “listën e zezë” e subjekteve borxhlinj. Rregullorja e re, e miratuar prej kreut të Tatimeve, Papajani, ndryshon metodikën e kontrolleve sistematike mbi bizneset e dyshimta. Rregullorja “Mbi procedurat e zgjedhjes për kontroll” përcakton rregullat dhe procedurat për zgjedhjen e deklaratave tatimore dhe tatimpaguesit për t’u kontrolluar. Procesi i zgjedhjes për kontroll do të përdorë analizën e riskut për identifikimin e atyre deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve me rrezik më të lartë potencial për fshehjen e detyrimeve tatimore. Kjo rregullore i shtrin efektet që nga 1 maji i vitit 2009. Me aplikimin e saj, nuk do të përdoret më kontrolli dhe praktikat ekzistuese. Kështu, praktika e kontrollimit të çdo tatimpaguesi për të gjithë llojet e tatimeve dhe taksave deri nga kontrolli i fundit, pra mbulimi me kontroll i të gjithave periudhave dhe të gjithë tatimeve, nuk duhet të vazhdojë të aplikohet. Sipas drejtuesve të Tatimeve, është e pamundur që të kontrollohen me efikasitet të gjithë tatimpaguesit për të gjithë tatimet dhe periudhat tatimore. Prandaj, ky institucion ka vendosur të zgjedhë deklaratat, periudhat dhe tatimpaguesit “me rrezik” më të lartë në fshehje dhe nëpërmjet kontrolleve të sakta profesionale ndaj tyre të bëjë të mundur zbulimin dhe dënimin sipas ligjit.
e
Nafta kthehet te 70 dollarë për fuçi
Karburanti i rikthehet rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Sipas ekspertëve të fushës, shtrenjtimi i naftës është rrjedhojë e shenjave optimiste të rimëkëmbjes ekonomike, duke parë edhe rritjen e kërkesës. Në bursën e Nju Jorkut, gjatë ditës së djeshme, nafta amerikane "light crude" është shitur për rreth 68,50 dollarë për fuçi. Këtë fakt e vërtetojnë kontratat e lidhura për muajin gusht, gjë që paralajmëron rritjen në të ardhmen edhe te pikat e tregtimit me pakicë, duke rënduar akoma e më tej konsumatorin. Shenja aspak pozitive janë parë në bursën e Londrës, ku nafta "brent" është kuotuar për rreth 70,86 dollarë për fuçi, me një rritje prej 0.54 dollarë. Gjatë gjithë ditës së djeshme, nafta në tregjet europiane është shkëmbyer duke prekur çmimin minimum 70.28 dhe maksimumin në 71,28 dollarë për fuçi. Në këtë situatë, shumë shpejt ndikimi i rritjes së çmimeve do të jepet edhe në tregun vendas, ku ndryshimet e fundit u regjistruan një muaj më parë.
29 Korrik 2009