E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Rrezik depozitat e naftës në Rinas dhe në port

Plagosja e dy punëtorëve në një pikë mbushjeje
gazi në hyrje të qytetit të Durrësit është paralajmëruar
nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Në
datën 7 janar, specialistë të Dobjanit u kanë shkruar
të gjitha institucioneve të parandalimit të zjarreve
marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar
çdo ngjarje të ngjashme me tragjedinë e Gërdecit
në Tiranë. I kontaktuar nga gazeta "Shqip", shefi
i kabinetit në zyrën e Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu
tha se: "Rekomandimi në fjalë ka vijuar pas
ndjeshmërisë që Avokati i Popullit krijoi për veten e
tij dhe për institucionet e tjera, me qëllim parandalimin
e incidenteve". Më konkretisht, në territorin e
Bashkisë së Durrësit, ushtrojnë veprimtarinë e tyre
disa stacione tregtimi nafte, gazi dhe nënprodukteve
të tyre, shumë prej të cilave të ndërtuara afër banesave
dhe institucioneve. Në shumë kate të para të
pallateve krahas produkteve ushqimore, tregtohen
edhe bombola gazi të madhësive të ndryshme, jashtë
çdo kushti teknik. Zyra e Avokatit të Popullit deklaron
se problem kryesor mbeten depot e karburanteve
brenda portit. Ndërkohë, në Bashkinë
Shijak problematike mbetën pika e tregtimit të gazit
në pronësi të shtetasit H.K., dy pika karburanti në
pronësi të shtetasve I.P. dhe H.N., dhe karburanti
"Shigjetari" tek Ura. Ndërsa në Bashkinë Krujë, ka
katër pika të tregtimit të gazit të lëngshëm: dy janë
me pronar zotin Friden Kuqi, një në pronësi O.Ç. dhe
tjetra pronë e I.B., si dhe dy pika tregtimi karburantesh
në pronësi të A.Q dhe A.V. Në Bashkinë
Sukth në lagjen "Erzen", ka një depozitë gazi me kapacitet
110.000 litra, me rrezikshmëri; një pikë karburanti
në fshatin Kullë, lagjja "Kthesa e Ariut" dhe
dy pika tregtimi gazi në fshatin Vadardhëa. Në Bashkinë
Fushë-Krujë Avokati i Popullit ka konstatuar se
në territorin e saj ka disa pika tregtimi të karburanteve
dhe të gazit të lëngshëm, këto të fundit edhe në dyqanet
ushqimore, duke u bërë premise për aksidente.
Në Komunën Nikël në Krujë janë disa depozita karburantesh
në afërsi të Aeroportit të Rinasit. "Kontrolle
për sigurinë e veprimtarisë së tregtimit të karburanteve
dhe të mbushjes së bombolave me gaz në
dyqane ku shiten mallra ushqimore, duhen ushtruar
edhe në Bashkinë Manëz, komunat: Thumanë,
Rrashbull, Ishëm, Golem, Maminas, Gjepalaj, Katundi
i Ri, Xhafzotaj, Bubq dhe Cudhi, si dhe rrugët kombëtare
që përshkojnë Qarkun e Durrësit", pohon
zyra e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›