E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Të hiqen nga lista të vdekurit dhe ata që kanë lënë shtetësinë”



Tiranë - Avokati i Popullit kërkon çregjistrimin e personave të vdekur dhe atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare nga regjistrat e Gjendjes Civile. Nëpërmjet një rekomandimi, zyra e Avokatit të Popullit kërkoi nga autoritetet shtetërore që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore për pastrimin e Listave të Zgjedhësve për zgjedhjet e reja parlamentare të 28 qershorit 2009, thuhet në një njoftim për shtyp të kësaj Zyre. Sipas Avokatit të Popullit, mos çregjistrim i këtyre personave nga regjistrat e Gjendjes Civile krijon premisa për abuzime të mundshme në emër të tyre si “votues”. Mësohet se ky rekomandim i është dërguar drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, prefektëve në qarqe si dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas shqetësimit të ngritur në media për ekzistencën në Regjistrat e Gjendjes Civile të emrave të personave të vdekur apo atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare.

Mungon prokurori, dështon seanca për “14 shtatorin”

Tiranë - Ka dështuar dje procesi për ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998 në Tiranë. Shkak për këtë është bërë sërish mungesa në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë e përfaqësuesit të Prokurorisë së Rrethit, Ylli Bedalli. Në këto kushte, trupa gjyqësore, e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku, vendosi që seanca të shtyhet për javën e ardhshme. Me cilësinë e të akuzuarit në këtë proces janë disa personalitete në fushën e medias edhe politikës, ndër të cilët, Alfons Zeneli, Antoneta Malja, Ekrem Spahia, Ilir Zhilla etj., të cilët kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre për kryengritje të armatosur në 14 shtator të 1998 në Tiranë, dy ditë pas vrasjes së deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›