E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani i kërkon Kushtetueses të pezullojë ligjin për pensionet e ushtarakëve dhe policëve

Nenet që kërkohet të shfuqizohet dhe argumentimi për secilin prej tyre

Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit dërgon në Kushtetuese ligjin për pensionet e ushtarakëve, policisë së shtetit, gardës dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të plotë shkresën zyrtare që Ermir Dobjani ka dorëzuar vetëm pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. Në kërkesën e tij, specialistët e institucionit që ai përfaqëson kanë përpiluar me detaje kundërshtitë që kanë në ligjin që është miratuar vetëm pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave për këto kategori. Ata i janë drejtuar kushtetueses që të shfuqizojë disa nene që kanë të bëjnë kryesisht me moshën e vjetërsisë kur duhet të dalin në pension, masën financiare, përllogaritjet në varësi të pozicionit apo gradës që kanë pasur.
Kundërshtimet
Juristët e Avokatit të Popullit kanë renditur në tetë pika nenet kryesore që duhet të shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tyre në ligjin e ri është rritur koha e vjetërsisë në shërbim për efekt të përllogaritjes së përfitimeve. Sipas nenit 3, pika 3 e ligjit të ri, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Ndërsa sipas nenit 5, germa “a” të ligjit të mëparshëm, në çdo rast, periudha 6 muaj e 1 ditë quhet vit i plotë. Është ulur masa e pagës referuese, e cila është bazë për llogaritjen e përfitimeve nga ligji. Sipas nenit 4 të ligjit të ri, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Ndërsa sipas nenit 5, germa “b” të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit. Është shtyrë koha për fillimin e trajtimit financiar me pagesë kalimtare të punonjësve të policisë. Sipas nenin 12 të ligjit të ri, pikat 1 e 2, pagesa kalimtare fillon pas dy muajsh nga koha që ai nxirret në rezervë apo lirim d.m.th. në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, trajtimi financiar me pagesë kalimtare fillonte nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare d.m.th. menjëherë pas nxjerrjes në rezervë apo lirim. Është ulur koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare. Sipas nenit 12 të tij, pika 3, ajo është bërë deri në 24 muaj (dy vjet), ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare ishte deri në tre vjet. Është ulur masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Sipas nenit 14, pika 1 e ligjit të ri, pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Ndërsa sipas nenit 12 të ligjit të mëparshëm ajo ishte 50 për qind e pagës referuese, që sipas nenit 5, germa “b” të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit. Është hequr përfitimi për shpenzimet e varrimit dhe ndihma e menjëhershme për pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që nuk është në detyrë në rast vdekje. Sipas nenit 22 të ligjit të ri, këtë të drejtë e përfitojnë pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që humb jetën në detyrë apo për shkak të detyrës, d.m.th. kur ai është në detyrë (punë). Ndërsa sipas nenit 11 të ligjit të mëparshëm, këtë të drejtë e përfitonin jo vetëm familjarët e punonjësit të policisë aktiv, por edhe familjarët e punonjësit të policisë në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension, student, kursant ose ushtar.
Ushtarakët
Sipas nenit 27 të ligjit të ri, nuk përfitojnë nga ky ligj ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje. Sipas argumentimit që ka bërë Avokati i Popullit, përjashtimi i kësaj kategorie (ushtarakët e dënuar me burgim) për të përfituar nga ky ligj është diskriminues, nuk është i drejtë dhe kushtetues sepse bie ndesh me qëllimin e vetë ligjit. Sipas tij në këtë rast kuptohet qartë se të gjitha subjektet përfituese nga ky ligj iu garantohen këto përfitime suplementare për shkak të vështirësive të punës e profesionit, rreziqeve të mundshme, të privimit nga shumë të drejtave që gëzojnë kategoritë e tjera të punonjësve, si dhe për shkak se gjatë kohës që ata janë aktiv paguajnë kontribut shtesë në masën 2% të pagës referuese. Përfitimi në këtë rast nuk jepet si shpërblim për “punë të mirë”, “për ndershmëri” dhe “për figurë morale të mirë”, sepse për demonstrimin në punë të këtyre cilësive, jepen dhe aplikohen në mënyrë individuale stimuj material dhe moral për punonjësit. Pra përderisa edhe personat e dënuar me burgim për krime me dashje kanë punuar në të njëjta kushte dhe kanë paguar nga paga e tyre kontribut shtesë njëlloj sikurse kolegët e tyre, për rrjedhojë edhe ata duhet të përfitojnë nga ky ligj. Ata, për shkak krimit të kryer nuk mund të rikthehen në vendin e punës dhe të punojnë pas dënimit të tyre në këto struktura, por nuk mund të privohen nga të drejtat social-ekonomike të garantuara nga disa akte normative. “Heqjen nga ligji të dispozitave përjashtuese nga përfitimi i të drejtave shoqërore suplementare ne e kemi pasur objekt të punës tonë edhe vitin e kaluar, lidhur me nenin 21 të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Sipas kësaj dispozite, nuk përfitonin të ardhura suplementare punonjësit e policisë të përjashtuar nga policia për braktisje të detyrës ose që janë dënuar me burg nga gjykata me vendim të formës së prerë. Meqenëse kishte kaluar afati për t’u drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ne i bëmë rekomandim Kuvendit për shfuqizimin e kësaj dispozite. Mirëpo megjithëse me ne u bashkua edhe një grup prej 12 deputetësh që paraqiti projektligjin, Kuvendi nuk arriti ta merrte në shqyrtim atë”, thuhet në shkresën zyrtare që mban firmën e Dobjanit.

Box

Kundërshtitë për rillogaritjen e pensionit

Në nenin 29 të ligjit të ri është parashikuar rillogaritja e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare të caktuar me ligjin nr. 8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Kjo dispozitë sipas Dobjanit ju mohon në mënyrë të hapur të drejtat e njohura dhe përfituara nga ligji i mëparshëm apo nga vendimet e gjykatave për një numër të konsiderueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë nxjerrë në lirim për shkak të reformës në Policinë e Shtetit dhe trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me pension suplementar apo me vendime gjyqësore. Në bazë të nenit 142/3 të Kushtetutës, organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore. Sipas Dobjanit në asnjë akt normativ që ka fuqi në Republikën e Shqipërisë nuk është parashikuar që vendimet gjyqësore të shfuqizohen me ligj. Ato mund të ndryshohen dhe shfuqizohen vetëm nga gjykatat më të larta.

Kërkesa e Dobjanit
1. Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me qëllim parandalimin e pasojave që mund të vijnë nga zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të këtij ligji.

2. Shfuqizimin e neneve 3/3; 4/2; 12/1,2,3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009, si të papajtueshëm me Kushtetutën, ligjin nr. 8661, datë 18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe ligjin nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit” sepse cenojnë rëndë të drejtat ekonomiko-financiare të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfituara me aktet normative të mëparshme.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›