Tirana largohet me turp nga Çempionsliga
Me një futboll tërësisht diletant në fushën e blertë Tirana humbi ndeshjen e kthimit me Stabaek, skuadrën Norvegjeze. Që në minutat e para norvegjezët kaluan në avantazh ashtu siç edhe kishin paralajmëruar se do ta sulmonin fort Tiranën që me fillimin e ndeshjes. Shumë shpejt rezultati shkon në 2-0 dhe pak para fundit të pjesës së parë Norvegjezët e çuan në 3-0 ndeshjen. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e ndeshjes dhe pushimi, ishin të vetmet minuta kur skuadra e Tiranës mori frymë. Ajo që u pa në pjesën e parë ishte pamundësia e skuadrës sonë kampione për të ndërtuar qoftë edhe një aksion. Portieri i skuadrës vendase ka qenë thjesht spektator në këtë pjesë pasi atij nuk i ka shkuar në kuadrat asnjë gjuajtje, madje dhe dy të tilla që u bënë nga bardheblutë përfunduan metra larg kuadratit. Në pjesën e dytë nis edhe seria tjetër e golave të vendasve. Pak pas fillimit të saj rezultatit shkoi në 4-0 dhe madje në minuta të tëra Stabaek kishte epërsi ndaj Tiranës, aq sa mund të kishte shënuar plot edhe tre herë të tjera, por sulmuesit e saj kanë falur Nallbanin, i cili duket se do të dalë në pension portier i Tiranës. Në fushën e blertë u panë edhe “pensionistë” të tjerë që nuk kishin se ç’të bënin pasi nuk ka kush t’i largojë. Duket se Mungesa e Mukës dhe Muzakës ishin themelorë dhe duket se pa këta kjo skuadër është thjesht një shëtitëse.
22 Korrik 2009