E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobraç, banorët katër vjet bashkëjetesë me ujërat e zeza

 

SHKODER - Ujërat e zeza në zonën e Dobraçit janë kthyer në problem serioz për banorët. Prej 4 vitesh situata vjen duke u rënduar gjithnjë e më tepër. Dy pallatet e kësaj zone "lundrojnë" mes ujërave të zeza, ndërsa banorët e shtëpive përreth duhet të kalojnë mes gurëve të cilët zëvendësojnë shkallët. Zona në fjalë ndan qytetin e Shkodrës me fshatrat. Banorët realisht janë pjesë e qytetit të Shkodrës, por veprimet administrative i kryejnë në Komunën e Rrethinave, e cila kryen dhe investimet. Shpërthimi i ujërave të zeza në lagjen Dobraç ka irrituar së tepërmi banorët. Sipas tyre, ka më shumë se 4 vite që në këtë zonë mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza. GropAat që gjenden pas pallateve janë të mbushura dhe rrezikojnë edhe jetën e ndonjë kalimtari apo fëmijëve të vegjël, pasi mungojnë kapakët e pusetave. Banorët kërkojnë zgjidhjen e problemit në mënyrë urgjente, pasi sipas tyre nëse nuk vihet dorë rrezikohet shembja e dy pallateve. Sipas banorëve faji për këtë situatë është i gjithi i komunës Rrethina, e cila sipas tyre deri tani nuk ka dhënë zgjidhje për të bërë të mundur kanalizimet për ujërat e zeza. Banorët tregojnë se premtimet në fushata elektorale kanë qenë të shumta, por realisht deri tani kanë rezultuar të jenë premtime boshe. Kryetari i komunës Rrethina, Gëzim Hardolli, i pyetur për këtë situatë sqaron se duhet pritur viti tjetër që të mund të bëhet investimi i duhur. "Projekti për kanalizimin e ujërave të zeza në fshatin Dobraç ka përfunduar. Ky studim është pjesë e një projekti të plotë, bërë edhe për kanalizimet e ujërave të bardha", pohon Hardolli. Por, sipas tij, financimi i këtij projekti do të bëhet nga granti i qeverisë shqiptare ose do të miratohet në buxhetin e këshillit të komunës në janarin e vitit të ardhshëm. Vetëm pas asaj periudhe pritet që çështja 4-vjeçare të zgjidhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›