Opozita proteston në Athinë
Marko Caka/ Athinë
Dje rreth 400 emigrantë shqiptarë në Athinë protestuan për hapjen e kutive. Në orën 17:30 në zonën Eliniko, 10 km nga qendra e Athinës, vendi ku mbahen punimet dyditore të ministrave të Jashtëm të vendeve të OSBE-së, përfshirë dhe ministrin shqiptar Ilir Meta, emigrantët, simpatizantë të PS-së kërkuan bërjen e transparencës së zgjedhjeve. Me dhjetëra autobusë dhe makina ishin vënë në dispozicion për transportin e protestuesve. Policia greke kishte dhënë lejen për këtë protestë, por i kishte lejuar protestuesit disa qindra metra larg godinës ku zhvillonte punimet samiti i ministrave të Jashtëm të OSBE-së. Protestën e drejtonte kryetari i degës së PS-së në Athinë, Anastas Murati, i cili u shpreh për “Panorama”, se: “Emigrantët kanë ardhur nga të gjitha viset përreth e Athinës, por edhe nga qytete të tjera për t’i kërkuar liderëve të vendeve evropiane se duam votën tonë me hapjen e kutive të votimit”. “Dëgjuam fjalët e ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, që ishin shumë ofenduese ndaj ne emigrantëve shqiptarë, që punojmë për mirëqenien e shqiptarëve, por qeveria duhet të njohë kontributin tonë, si dhe votën tonë që na ka vjedhur”, u shpreh Murati. Në përfundim të protestës, emigrantët u kanë nisur një peticion gjithë ministrave të Jashtëm të OSBE-së të mbledhur dje në Athinë, ku kanë akuzuar Kryeministrin Berisha se ka grabitur votat e 28 qershorit. “Gjatë 20 viteve tranzicion, thuhej në këtë dokument, të gjitha qeveritë shqiptare kanë dështuar në mbajtjen e zgjedhjeve me standarde. OSBE/ODIHR në raportin për zgjedhjet e 28 qershorit. Në peticionin e emigrantëve konstatohet fakti shqetësues se në 1/3 e qendrave të numërimit ky proces ishte i keq ose shumë i keq. Dhjetëra kriminelë dhe të burgosur të rrezikshëm u lanë të lirë ditët e votimit dhe opozita ka publikuar listën e tyre. Në peticion opozita akuzon qeverinë se ka shkelur ligjin zgjedhor, duke ushtruar presion mbi organet e drejtësisë veçanërisht kolegjin zgjedhor, i cili nuk lejoi rinumërim të fletëve të votimit. Opozita vlerëson rëndësinë e standardeve zgjedhore që duhet të plotësojë një vend anëtar i NATOS. Peticioni vë në dijeni ministrat e Jashtëm se nuk do tërhiqet nga kërkesa e saj për hapjen e kutive dhe bojkot të punimeve të Kuvendit deri në plotësimin e kësaj kërkese si kusht për funksionimin e një demokracie normale.