E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Oficeri i Dajtit” 6 dëshmi kundër

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

Oficeri i policisë së Durrësit Maringlen Muça i arrestuar me dyshimet se ka për-krahur Dritan Dajtin gjatë kohës që ai ishte në kërkim, është fajësuar nga dëshmitë e të paktën gjashtë oficerëve të policisë. Uniforma blu të Durrësit, Krujës, Dibrës, Gjirokastrës, Fierit e Kukësit, janë thirrur në Prokurori për të dhënë deklarime mbi faktin se numrat e tyre të telefonit ishin gjetur në celularin e Erges Xhoxhit, kunati i Dritan Dajtit. Gjashtë oficerët, mësohet se kanë shpjeguar se e kishin njohur kunatin e të shumëkërkuarit, nga kolegu i tyre Maringlen Muça, efektiv i policisë së Durrësit. Oficerët kanë thënë se Muça i kishte prezantuar me Erges Xhoxhin, duke u thënë se ai ishte mik i tij që në kohën e shkollës. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë se Krimet e Rënda kanë siguruar prova të forta ndaj ish-oficerit të Durrësit, i cili veç dëshmive të gjashtë oficerëve, fajësohet edhe nga uniforma e tij. Veshja zyrtare e policisë, mësohet se i është gjetur kunatit të Dritan Dajtit, ndërsa ka dyshime se ajo mund të jetë përdorur në mënyrë të paligjshme. Një tjetër fakt që hedh dyshime të forta mbi rolin e oficerit të Durrësit janë tabulatet telefonike, dhjetëra mesazhe të dërguara në celularin e Erges Xhoxhit. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme konfirmojnë më tej se oficeri i Durrësit, i cili akuzohet për "shpërdorim detyre" është zbuluar edhe nga disa dokumente të sekuestruara në cilësinë e provave materiale, përmbajtja e të cilave nuk është bërë e ditur. Sipas akuzës, dokumentet tregojnë se Maringlen Muça e ka ndihmuar të kërkuarin Dritan Dajti në nxjerrjen e një distinktivi të falsifikuar sikur ishte punonjës policie, me gradën nënkomisar i policisë së Korçës. Me këtë dokument, dyshohet se i kërkuari ka shmangur disa kontrolle të policisë gjatë lëvizjeve të tij.
Oficeri dosje e lidhur me Dajtin
Organi i akuzës ende nuk ka marrë një vendim nëse oficeri i policisë së Durrësit Maringlen Muça do të gjykohet ndarazi apo në një proces të përbashkët me Dritan Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e katër agjentëve të policisë në Durrës. Akuza e ngritur ndaj ish-inspektorit të zonës së plazhit në Durrës, është "shpërdorim detyre", ndërsa në adresë të Dajtit janë ngritur akuza për "vrasje në rrethana të cilësuara ndaj më shumë se dy personave, për shkak të cilësive të veçanta", "armëmbajtje pa leje" dhe falsifikim dokumentesh. Megjithëse akuzat nuk janë të njëjta për dy personat, si dhe për të tretin e dosjes, shtetasin Erges Xhoxhi, burime të Prokurorisë së Përgjithshme thonë se dosja e oficerit është një procedim i lidhur me dosjen penale të hapur ndaj Dritan Dajtit. Akuza e ngritur ndaj Maringlen Muçës është juridiksion i hetimit nga prokuroritë e rretheve por në raste të ngjashme, vepra penale është hetuar nga krimet e Rënda kur procedimi ka qenë i lidhur me një dosje të hetuar më parë në këtë institucion. Maringlen Muça i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai ka pohuar se njihte Erges Xhoxhin, pasi ishin shokë që në kohën e shkollës, ndërsa ka thënë se nuk ka dijeni për shtetasin Dritan Dajti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›