Blendi Klosi: Berisha të hapë kutitë
Deputeti socialist Blendi Klosi i cilësoi si ushtarë, zyrtarët që sipas tij Berisha ka rreshtuar çdo ditë, duke lënë tërësisht pas dore shqetësimet e shqiptarëve. Sipas Klosit, Shqipëria qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve. “Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet, kundër vullnetit të popullit të tij. Zgjidhja e vetme e situatës së krizës në vend është hapja e kutive të votimit”, theksoi Klosi. Sipas tij, Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tij besnikë, kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve, por janë shpërndarë anembanë Shqipërisë për të lëshuar të pavërteta në adresë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj.
“Në kohën kur qeveritë e gjithë botës prodhojnë politika për të lehtësuar impaktin e krizës mbi qytetarët, Sali Berisha, si i fundit komunist i mbetur në pushtet në Evropë, kërkon të mbulojë krizën përmes shpifjes”, u shpreh Klosi.