Lamtumirë e përbashkët 5 viktimave të tragjedisë
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Dhimbja ka qenë tejet e madhe për familjet nga Bushneshi i Krujës që humbën njerëzit e tyre në aksidentin tragjik të së hënës, më të rëndin e këtij viti në vendin tonë. Familja Murati nuk ka më dy djemtë e vetëm e as familja Alushi, Muzhaqi e Kaçi fëmijët e tyre, të cilët u shuan papritur, ndërsa po udhëtonin drejt Tiranës. Edhe më e rëndë ishte situata në Laç, në familjen e shoferit të autoambulancës, Vlash Suti. Dy vjet më parë, 45-vjeçarit i ishte aksidentuar për vdekje djali i tij, ndërsa kalonte në rrethrrotullimin pranë doganës së Tiranës.
Dje, i gjithë fshati Bushnesh ka qenë në zi. Të pestë djemtë u përcollën nga njerëzit e tyre e banorë në varrezat e fundit, në një kohë, ashtu siç dhe ikën nga kjo botë, në përplasjen fatale të dy makinave në fshatin Derven. Trupat e pajetë të Artan Alushit, 30 vjeç, Florian Muzhaqit, 26 vjeç, Indrit Kaçit, 18 vjeç dhe dy vëllezërve Ernes dhe Fali Muratit, 18 dhe 15 vjeç u shoqëruan nga qindra vetë në varrezat e fshatit Thumanë. Të afërm të viktimave kanë treguar se të pesë shokët, të cilët rrinin bashkë dhe në fshat, ishin nisur për në Tiranë, një ditë pas Natës së Bardhë. Mësohet se në timonin e makinës ka qenë Kaçi. Familjarët e viktimave kanë përjashtuar mundësinë e pirjes së alkoolit apo ndonjë lënde tjetër që mund të ketë sjellë në humbjen e kontrollit të drejtuesit të mjetit. Pas ekspertizës në vendin e ngjarjes, policia ka nxjerrë dhe shkakun e aksidentit fatal. Sipas saj, përveç shpejtësisë së madhe të të dy mjeteve, shkak për tragjedinë në rrugë është bërë tentativa për parakalim e drejtuesit të autoambulancës. Në kushtet e një rruge të ngushtë, autoambulanca është gjendur përballë "Benz"-it të të rinjve, duke e bërë të pashmangshme atë që ndodhi brenda pak sekondash. Sipas banorëve nga fshati i të rinjve, të pesë shokët janë njohur për sjellje korrekte dhe kanë qenë tepër të respektuar në këtë fshat. I vetmi që nuk është prehur dje në banesën e fundit ka qenë Vlash Suti, pasi familjarët e tij kanë vendosur që ta shtyjnë ceremoninë mortore, në pritje të mbërritjes nga jashtë të të afërmve të tij. Banorët shprehen se në këtë aksident ka ndikuar mungesa e shenjave të sinjalistikës. Sipas tyre, rruga edhe pse quhet superstradë nuk mund të jetë e tillë, pasi jo vetëm ka shumë ndërprerje, por nuk ka as ndriçim.
Kryeministri ngushëllon familjet
Një ditë pas aksidentit tragjik, me 6 viktima në superstradë, kryeministri Sali Berisha i ka dërguar familjarëve të tyre mesazhe ngushëllimi. "Vdekja tragjike e bijve tuaj të dashur ka sjellë zi dhe gjëmë të rëndë jo vetëm tek familjet tuaja, por edhe te çdo shqiptar. Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare ndaj me ju dhimbjen e thellë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe i lutem Zotit që ju të gjeni forcën për të përballur humbjen e pakompensueshme të bijve tuaj të dashur. Lutem së bashku me ju që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e merituar", është shprehur Berisha në këto mesazhe.