E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobroshi & Papavrami, "Të dashuruar" në Tiranë

Këtu protagonistët janë Tedi Papavrami dhe Arta Dobroshi. Aktorja nga Kosova dhe violinisti nga Shqipëria, nën regjinë e Artan Minarollit, do të vijnë premierë para publikut me filmin "Kronikë provinale" skenari i të cilit mban firmën e Ylljet Aliçkës. Të premten paradite, në një kinema private do të shfaqet për herë të parë për publikun filmi i Minarollit, xhirimet e të cilit kanë përfunduar në vitin 2005, por që për probleme financimi e teknike nuk është krijuar mundësia e shfaqjes më parë për publikun. "Periudhat e shkrimit të skenarit, përgatitjes dhe xhirimit të filmit ecën shumë mirë, por procesi ndaloi te post-produksioni. Fondet nuk ishin të mjaftueshme, kështu që na u desh të rifillonim punën për kërkimin e fondeve shtesë. Minimalisht periudha e produksionit kërkon rreth 200 mijë euro, të cilat për këtë film mungonin. Të dy filmat janë xhiruar me film 35 mm, që nënkupton një kosto mjaft të lartë", është shprehur regjisori. Një bashkëpunim mes Francës, Italisë, Shqipërisë, produksioni mban emrin e "Albimazh" - Loreta Mokini, Shqipëri, "8 et Plus" - Didier Couedic, Francë, "Revolver" - Paolo Maria Spina, Itali dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe "Fonds sud du Ministere des Affaires Etrangeres de France". Filmi trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit post-diktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij. Nën interpretimin e aktorëve Ndriçim Xhepa, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Robert Ndrenika, Aleko Prodani, Margarita Xhepa, Natasha Sela, Birçe Hasko, Vangjel Toçe, Marko Bitraku, Agim Qirjaqi, Guljelm Radoja, Sheri Mita etj., "Kronikë provinciale" vjen si një komedi. Subjekti i filmit vendoset fill pas viteve ‘90 dhe bën fjalë për fatin e një çifti të ri në një provincë shqiptare. Ky çift detyrohet që ta braktisë vendin për shkak të thashethemeve dhe mentaliteteve të vjetra të kësaj province. Motiv për komplikimin e ngjarjeve bëhet një hoxhë, interpretuar nga Mirush Kabashi, i cili padashur provokon komunitetin provincial. Djali i ri, piktor, nën interpretimin e violinistit Tedi Papavrami, kthehet nga Franca në shtëpinë e tij. Menjëherë pasi rehabilitohet, ai kërkon që të ushtrojë profesionin e tij, për të cilin kishte studiuar jashtë shtetit, por përballet me shumë probleme, ku në film gjithçka trajtohet në një formë mjaft qesharake. Në të njëjtën kohë ai njihet me një vajzë (Arta Dobroshi), të cilën e dashuron dhe ndërkohë që pengesat e mësipërme e detyrojnë këtë çift që të largohet nga Shqipëria, drejt një shteti tjetër.

Vetë regjisori Artan Minarolli, pak kohë më parë është shprehur se nëpërmjet këtij filmi, ngjarja e të cilit fokusohet në një provincë, në të vërtetë përmbledh dhe rrëfen një shoqëri të tërë. "Është tamam si një maket (para se të bëhet një ndërtesë e madhe, fillimisht ndërtohet maketi për ta kuptuar më mirë). Edhe në këto lloj filmash, kur tregohet një shoqëri e vogël në një provincë, është një maket shoqëror, ku nëpërmjet tij tregohet fenomeni i një shoqërie globale. Kështu, ky universalitet gjendet brenda këtij filmi dhe kjo për mua është më interesante. Sepse ngjarjet dhe dialogët që përçohen aty, në pamje të parë mund të tingëllojnë pak qesharakë, por në të vërtetë ato janë problemet e të gjithë njerëzimit sot", ka thënë Minarolli. Sipas tij, filmi është i veçantë, pasi flet për një jetë normale, në qytezë, por që në të vërtetë merr një kuptim më të gjerë se kaq.

Regjisori Artan Minarolli është autor i disa filmave artistikë, mes të cilëve "100%" (1994), "Plumbi prej plasteline" (1995), "Nata pa hënë" (2001), "Kronikë provinciale" (2009), "Gjallë" (2009). Ai është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Pas premierës së filmit "Kronikë provinciale", në muajin qershor 2009 do të shfaqet edhe premiera e filmit të tij të fundit "Gjallë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›