"Gjallë", pas "Kronikë provinciale"
Filmi "Gjallë" pritet që të vijë premierë e re për publikun në muajin qershor. Skenari dhe regjia janë realizuar prej Artan Minarollit. Nëpërmjet këtij filmi ai synon të tregojë me një gjuhë tjetër kinematografike pasojat që ka lënë gjakmarrja në realitetin tonë. Pasqyrohet aty edhe një pjesë tjetër e historisë sonë pas viteve ‘90, eksodin e dhimbshëm për t‘i shpëtuar fatalitetit të jetës, mentalitetet dhe dëshirën për të ndryshuar. Kjo dëshirë për jetë është e ngjizur e gjitha në trupin e një djaloshi të ri që quhet Koli, i cili vjen nën interpretimin e Nik Xhelilajt. Koli ka ardhur në Tiranë nga malësia. Ka mbaruar në kryeqytet gjimnazin dhe është në vitin e dytë të shkollës së lartë. Ka një të dashur si të gjithë shokët e moshës së tij dhe është tërësisht i integruar në jetën e qytetit. Ai ëndërron, i pëlqen shkolla dhe gjatë këtyre viteve në Tiranë e ka harruar në një farë mënyre të shkuarën, fshatin e tij të largët, miqtë e dikurshëm të fëmijërisë dhe shtëpinë e thjeshtë. Tirana ka zgjuar shumë dëshira te Koli. Por papritur ndodh diçka dhe përmbys gjithçka që dukej se po ecte aq mirë në jetën e tij. Merr vesh se i ka vdekur i ati dhe duhet të udhëtojë drejt malësisë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Humbja e të atit e rikthen atë në kontaktin me të shkuarën, me botën e vërtetë që kishte ekzistuar tek ai para udhëtimit për në Tiranë. Ai mëson se familja e tij ishte në gjak dhe se gjakësi kishte zgjedhur atë për të larë hesapet e së shkuarës...