E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne pesënjakët që çuditëm dynjanë

A i mbani mend pesënjakët? Sot janë 10 vjeç dhe ndjekin klasën e katërt në shkollën “Qazim Turdiu” në Tiranë. Ata janë tashmë të rritur por kanë ende nevojë për përkujdesje. Apeli i prindërve Elezi drejtuar shtetit është i qartë; ”fëmijët tanë kanë ende nevojë për ju”

Pesënjakët, lindja e të cilëve bëri aq bujë 10 vite më parë, sot ndjekin mësimet në klasën e katërt në shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu”, në Tiranë. Më i miri në mësime është Martini, fëmija i parë, por edhe të tjerët Griselda, Klesa, Nurjana dhe Mikeli nuk është se janë keq. Nurjana dhe Griselda janë në të njëjtën klasë. Kjo është zgjedhje e vetë mësuesve, të cilët kanë menduar të ndajnë pesënjakët për të shmangur rrëmujën. Ajo që të bie në sy menjëherë, është fakti se ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shikojmë te binjakët, ata nuk ngjajnë shumë me njëri-tjetrin në pamjen fizike. “Ky mëson më shumë, por njëkohësisht grindet dhe më shumë”, thotë Mikeli për vëllain më të madh. Martinit i pëlqen të dëgjojë muzikë ndërsa Mikeli është shumë i dhënë pas sportit. Preferencat janë shpesh objekti i zënkave midis tyre. Marrëdhëniet e djemve me vajzat duket sikur janë më ndryshe. Këtë gjë e pranon edhe babai i tyre Edmondi i cili shprehet se “tashmë edhe pse ende vazhdojnë të jenë të zhurmshëm, fëmijët kanë filluar të kuptojnë.” Gjithsesi fakti që pesënjakët janë të rritur, nuk do të thotë se problemet e familjes ku ata jetojnë kanë përfunduar. Ata jetojnë sot në një lagje të re, në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet, së bashku me prindërit. Nuk është shumë e vështirë për të gjetur banesën ku ata jetojnë. Ndërsa ngjisim shkallët presim një banesë të zhurshme. Por nuk është kështu. Disa palë atlete të rreshuara në radhë na tregojnë se jemi në vendin e duhur. Trokasim dhe sakaq në derë mbin një nga fëmijët, Mikeli, i cili me vështrim zhbirues kërkon të dijë se çfarë kërkojnë mysafirët e ardhur rishtas. Ndërsa i prezantohemi kush jemi dhe qëllimin e vizitës, kalojmë në dhomën e miqve, ku na shfaqen dhe katër fëmijët e tjerë, të cilët bëhen kuriozë dhe na rrethojnë menjëherë. Apartamenti ku banojnë të krijon ndjesinë e një ambjenti të ngrohtë familjar: kolltukë të thjeshtë, një kompjuter i vendosur në një kënd, diku mbi mur një pikturë e thjeshtë punuar në vaj, dhurata këto nga komuniteti dhe biznesi. Dhomat e fëmijëve janë edhe më modeste. Një tavolinë mesi ku ata mësojnë, divanë të cilët njëkohësisht shërbejnë dhe si krevatë, dhe një raft me lodra. Shtëpia ku jeton sot kjo familje prej 7 vetësh të jep përshtypjen e një banese të bollshme ndonëse për 7 personat që jetojnë aty hapësirat janë të ngushta. Nëna e fëmijëve Mirela, çuditet nga fakti që kemi ardhur t’i takojmë. “Ka kohë që nuk është interesuar dikush për fëmijët”, thotë ajo ndërsa nis e tregon peripecitë që ka kaluar familja e saj. Sot fëmijët janë rritur disi, dhe për të gjërat nuk janë më si më parë. Sidoqoftë ajo s’mund t’i harrojë lehtë vitet e para kur fëmijët ishin ende të vegjël. “Shtëpia jonë prej 5 vitesh me rradhë ka qenë çerdhe. Në kohën që jetojmë të gjithë e dimë se sa e vështirë është të rritësh një fëmijë të vetëm dhe jo më pesë.” Në vitin 2000, pas lindjes së pesënjakëve familja Elezi që jetonte në Peqin u zhvendos përfundimisht në qytetin e Tiranës. Shtëpia ku ata tashmë jetojnë që prej ketij viti gjendet në një nga lagjet e reja të kryeqytetit. Po atë vit, me vendim të këshillit të ministrave ikaloi familjes në pronësi një shtëpi me kredi të butë të cilën ata e paguajnë dhe sot e kësaj dite. Edmondi, babai i fëmijëve sot është i papunë. Atij i bën përshtypje se si nga një rast i cili tërhoqi vëmendjen e opinionit publik dhe jo vetëm, tashmë i ka lënë vendin heshtjes. Shtëpinë e tyre e kanë vizituar një numër i madh personalitetesh, por kjo ka ndodhur në kohën kur fëmijët ishin ende foshnje. Edmondi si kryefamiljar e ka të vështirë t`u sigurojë fëmijëve të tij një standart jetese të pranueshëm, pasi nuk ka mundur dot të sigurojë një punë fikse. NdërsaMirela shpresonte qëfëmijët pasi të ishin rritur disi, të kishte mundësi të fillonte dhe ajo një punë. Nga ana tjetër asaj i duhet ende të kujdeset për ta, ndonëse fëmijët sot janë 10 vjeç. Sot të dy prindërit janë të papunë. Megjithatë, Edmondi beson ende te një sensibilizim i mundshëm i komunitetit dhe biznesit dhe veçanërisht në mbështetjen e shtetit i cili duket se i ka lënë në harresë.

Një dekadë më parë

Ardhja në jetë e pesënjakëve në vitin 2000 u konsiderua si nje rast i jashtëzakonshëm, i papreçedent. Rasti i tyre u veçua jo vetëm se erdhën në jetë 5 fëmijë njëherësh por për shkak se të pestë arritën të mbijetojnë . Shtëpia ku banojnë sot pesënjakët, i ka kaluar familjes Elezi në formën e një kredie të butë me Vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2000.Ata paguajnë 8 mijë lekë në muaj, ndërsa përfundimisht shtëpia do të bëhet e tyrja vetëm pas 18 vitesh. Gjithashtu, po me VKM, pesënjakëve u është siguruar eshe një ndihmë ekonomike prej 5 mijë lekësh secili deri në moshën 18 vjeç. Kjo ndihmë është e vetmja mundësi jetese për këtë familje pasi Edmondi nuk ka një punë të përditshme, ndërsa Mirelës do ti duhet edhe për pak kohë të kujdeset për fëmijët.

Apeli

Edmondi kërkon t’i bëjë dhe një herë tjetër apel instancave vendimmarrëse. Rasti i pesënjakëve është një rast që përsëritet njëherë në dhjetra madje qindra vite. Ai nuk mohon faktin që një pjesë të ndihmës së përftuar ka ardhur nga komuniteti dhe biznesi. Por institucioni që duhet të sensibilizohet në raste të tilla të jashtëzakonshme është qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›