MASH publikon formularin A2

Maturantët mund të zgjedhin 10 programe studimi, prej 264 që ofrojnë universitetet publike në të gjithë vendin
Nxënësit do të kenë në dispozicion 15 ditë për plotësimin dhe dorëzimin e formularit të preferencave
Formulari A2, duke filluar që nga dita e sotme, gjendet në të gjitha shkollat e mesme të vendit, ku maturantët kanë rreth dy javë kohë për tërheqjen, plotësimin dhe dorëzimin e tij. Në këtë formular, maturantët mund të zgjedhin 10 preferenca mes 264 programeve të studimit që ofrohen nga të 12 universitetet publike në vend. Në një renditje nga 1 në 10 nxënësit duhet të vendosin kodet që përfaqësojnë programet e studimit.
Në kuadratin pranë programit të studimit, duhet vendosur numri i preferencës, ku kodi i programit të studimit i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse.
Për shembull, nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1. Nëse gabohet në këto plotësime, si i vlefshëm do të merret kodi i programit të studimit që është shënuar te tabela e preferencave, (djathtas lart).
Rregullorja e Maturës Shtetërore 2010 parashikon që nëse maturanti zgjedh fakultetin me natyrë të përafërt studimi me profilin që ka ndjekur gjatë viteve të shkollës së mesme, koeficientet janë më të lartë. Në këtë mënyrë, edhe mundësia e pranimit në universitet do të jetë më e madhe.
Kandidati do të shpallet fitues vetëm në një nga programet e studimit që ka zgjedhur sipas parimit Meritë - Preferencë, sipas të cilit fituesi përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara, edhe në bazë të plotësimit të kritereve të vçanta, të vendosura nga institucionet e arsimit të lartë dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Fituesit në një program studimi të zgjedhur, përcaktohen nga kuotat për atë program studimi.
MASH kujton se është e detyrueshme që ky formular të plotësohet me: emrin, mbiemrin dhe firmën, tuaj; emrin, mbiemrin dhe firmën e mësuesit kujdestar, si dhe me emrin mbiemrin dhe firmë të drejtorit të shkollës, bashkë me vulën e shkollës, pasi mungesa e njërit prej këtyre elementëve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm.
Për të mos gabuar në plotësimin e formularit MASH, në udhëzimin e bashkangjitur formularit A2 u sugjeron maturantëve që të plotësojnë fillimisht një kopje të formularit dhe më pas të plotësojnë formularin origjinal, i cili duhet të dorëzohet pranë shkollës. Për të kryer të gjitha këto procedura, nxënësit do të kenë në dispozicion dy javë kohë.