Arrestohet drejtori i filialit të një banke, i vodhi 130 milionë lekë një klienti
Drejtori i një banke të nivelit të dytë në qytetin e Bilishtit është prangosur ditën e djeshme pasi akuzohet se ka vjedhur 130 milionë lekë të vjetra nga llogaria e një klienti.
Sipas të përditshmes Panorama, B.Topalli, i lindur më 5 prill 1978, banues në Devoll dhe me profesion ekonomist, është vënë në pranga dje nga Policia e Korçës, me urdhër të Prokurorisë së këtij rrethi.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të organit të akuzës, që thanë se zyrtari i bankës ka blerë një banesë dhe një truall me paratë e përfituara nga vjedhja. Arrestimi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme pas një hetimi disamujor nga njësia e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Korçës.
Kjo e fundit është vënë në lëvizje nga shtetasi me iniciale N.Z., pronari i llogarisë prej së cilës janë vjedhur paratë. Pak muaj më parë ai ka konstatuar tërheqjen e shumës së konsiderueshme nga llogaria e tij dhe menjëherë ka bërë ankesë pranë bankës.
Ka qenë vetë banka në fjalë që ka nisur një hetim të brendshëm ndërsa i dëmtuari i është drejtuar edhe Policisë së Korçës dhe Prokurorisë në lidhje me vjedhjen e shumës së parave.
Hetimet e përbashkëta kanë zbuluar se duke shfrytëzuar detyrën e tij si drejtor banke, shtetasi B.Topalli ka marrë akses në regjistrin e llogarive të klientëve dhe pasi ka parë gjendjen e shtetasit N.Z., ka tërhequr nga llogaria e tij 13 milionë lekë të reja./ep