E Diel, 1 Nëntor 2026

Doda, gazi alternativa jonë për të ardhmen

05/03/2005  Tregu Rajonal i Energjisë

Gazi është alternativa që i takon të ardhmes dhe Shqipëria po orienton jo vetëm tregun, por dhe kërkesat e popullatës drejt këtij produkti. Ministri i Energjisë, Viktor Doda, ka pranuar në takimin e ministrave të Energjisë të 12 vendeve të Detit të Zi, faktin se e ardhmja e sektorit të elektroenergjetikës do t’i takojë gazit. ”Bazuar në parashikimet tona për nevoja të sektorit elektroenergjetik, të industrisë, shërbimeve dhe popullatës, në vitin 2015 nevoja për gaz natyror në Shqipëri do të jetë 1.4-1.5 miliardë m3N”, ka deklaruar Viktor Doda, gjatë takimit të ministrave të Energjisë. Nga vlerësimet e bëra në një kontekst rajonal të zhvillimit të rrjetit të gazit në Evropën Juglindore, Shqipëria do të mbështesë gjerësisht projektin e gazit natyror Lindje-Perëndim, meqenëse ky projekt ka përparësi për vendet e rajonit dhe për vetë Shqipërinë, si dhe i ofron Rajonit dhe Evropës një burim të ri gazi dhe me kosto më të ulët. Aktualisht, Shqipëria ka bërë të gjitha detyrat që i janë kërkuar për të mbështetur iniciativat për zhvillimin e infrastrukturave të transportimit të naftës, nga pellgu i Detit Kaspik dhe Azisë Qendrore në drejtim të Evropës Perëndimore dhe SHBA, nëpërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Evropës Juglindore. Një nga projektet më potenciale në këtë drejtim është projekti i naftësjellësit AMBO, i cili parashikohet të fillojë në Burgas dhe të përfundojë në terminalin e Vlorës. Kështu, krahas furnizimit të naftës për vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve, ky projekt do të rrisë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me naftë të vendeve në të cilat ai kalon dhe më gjerë. Sipas Dodës, biznesi privat do të jetë ai që do të ketë aksesin më të lartë në tregun e ardhshëm të energjisë dhe duket se që tani Qeveria ka marrë masat për të kaluar totalisht në duar të privatëve këtë treg, duke bërë dhe privatizimin e kompanisë së fundit shtetërore, ARMO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›