E Diel, 1 Nëntor 2026

Barnat, ulen çmimet e referencës rritet fitimi për importuesit

05/03/2005  Për barnat e shtrenjta, që rimbursohen, ulen çmimet e regjistruara në doganë

Pritet që të diskutohen nga Këshilli i Ministrave dhe vendimi mbi çmimet referencë të barnave. Pra çmimet, me të cilat do të regjistrohen në doganë. Për barnat nuk paguhet taksë doganore, kështuqë, kryesisht këto çmime vlejnë për barnat që rimbursohen nga shteti, pasi kjo është vlera, e cila do t‘iu paguhet firmave importuese nga ISKSH për barnat e blera nga pensionistët, fëmijët apo ata që vuajnë nga sëmundjet kronike. Ky projektvendim është hartuar në bazë të çmimeve të afruara nga firmat farmaceutike, që kanë ekskluzivitetin në Shqipëri. “Kryesisht kanë mbetur ato çmime që kanë qenë dhe vjet, ndërsa për barnat e shtrenjta kemi mundur të lidhim kontrata me ato firma që kanë çmime të ulëta. Pra, për një grup të caktuar barnash, çmimet e referencës janë ulur 5 për qind”, thotë drejtori i Farmacive në Institutin e Kujdesit Shëndetësor, Besnik Bruci. Në tërë vendin janë kontraktuar 31 depo importuese dhe 52 depo distributore, si dhe me 670 farmaci dhe agjenci farmceutike. Deri tani Instituti i Kujdesit Shëndetësor është kritikuar për çmime reference nga më të lartat. Duket se ISKSH po gjen mundësi nga viti në vit për uljen e këtyre çmimeve. Ndërkohë, marzhi i fitimit për furnizuesit me barna është rritur. Nga 12 për qind, që ka qenë marzhi për firmat importuese, është rritur në 18 për qind. Ndërsa marzhi i fitimit për farmacitë ka mbetur po aq, 15 për qind. Por, bashkë me marzhin e shumicës, kjo shifër lëviz nga 27 për qind në 33 për qind. Pra, për një pjesë të barnave çmimi rritet, ndërsa për disa të tjera, për arsye se ulet çmimi i referencës, çmimi për pacientin mbetet po aq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›