E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë nga Rama?!

05/03/2005  Hamendësitë për një rol aktiv të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme politike, janë shtuar së tepërmi. Së fundi, ai ka qenë i ftuar nga aktorë jopartiakë në takime publike në Shkodër dhe Lezhë.

Veçanërisht takimi në qytetin e Shkodrës, i cilësuar si një nga bastionet e Partisë Demokratike, ka shtuar pikëpyetje të reja për angazhimin e mundshëm të Ramës në fushatën e ardhshme. Në fjalimet e tij Rama, një anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste dhe ish-kandidat për kreun e PS, në garë me Kryeministrin Nano, ka qenë kritik me politikën e PS-së dhe PD-së. Dalja në takime publike e kryetarit karizmatik të Bashkisë së kryeqytetit, në kohën kur qeveria dhe opozita po hyjnë në një fushatë elektorale të nxehtë dhe sidomos, pozicioni ex-cathedra, që Rama tregoi në fillim në Shkodër dhe më pas në Lezhë, kanë zgjuar jo vetëm kërshërinë e publikut, por duket se kanë risjellë në debatin publik pyetjen: A do të angazhohet Rama në fushatën elektorale të socialistëve. Dhe nëse po, me cilën parti socialiste? Me PS-në e Kryeministrit Nano apo me LSI-në e Ilir Metës.

Dalja në terren e kryetarit Rama në takime “pluraliste”, ku përveç shoqërisë civile gjenden të pranishëm edhe eksponentë lokalë të opozitës, është e vështirë të kuptohet si një përpjekje për një lëvizje të re politike. Por, po kaq e vështirë është të besohet se angazhimet më të fundit publike të kryetarit ambicioz të Tiranës të jenë të zhveshura nga synimet politike. Ishte vetëm një vit më parë, kur Rama, i porsaanëtarësuar në Partinë Socialiste, synoi lidershipin në PS, duke hyrë në garë me Kryeministrin Nano. Ndoshta i bindur se po hynte në një garë, ku humbja ishte thuajse e sigurt, rezultatet e votimit i ofruan Ramës një surprizë jo të këndëshme. Kandidati i ri për kreun e PS u mund thellë nga kryetari Nano. Por shumë më shumë se rezultati i votimit, surpriza qëndronte në sjelljen e socialistëve ndaj ambicieve të Edi Ramës. Mesazhi ishte i qartë: Partia Socialiste ka nevojë për Edi Ramën, por shoku Edi duhet të qëndrojë jashtë drejtimit të partisë.

Kjo ndodhte dy vjet më parë. Situata tani është ndryshe. Zgjedhjet parlamentare të këtij viti do të jenë një betejë e ashpër, ndoshta më e ashpra e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Rama ishte një nga personazhet kryesorë të fushatës elektorale të socialistëve, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2003 gjithë fushata e PS u mbështet te modeli Rama, duke e propaganduar si një model të qeverisjes lokale të socialistëve. Nga ana tjetër, opozita, që thellësisht ka qenë kritike ndaj kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, i përqëndroi jo pak përpjekje e saj për të rrëzuar “mitin” e qeverisjes së mirë socialiste në Tiranë përmes akuzave për korrupsion dhe shpërdorime të fondeve publike, duke inicuar madje edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Tani zgjedhjet janë duke trokitur sërish. A do të jetë Rama një figurë–kyç në mobilizimin e votuesve të së majtës shqiptare?

Në rrethanat kur e majta do të hyjë në zgjedhje, e ndarë në dy parti, PS dhe LSI, përgjigjja e kësaj pyetje bëhet më e vështirë. Do të mbështesë Kryeministrin Nano dhe partinë e tij, apo LSI-në me Ilir Metën në krye?

Kryeministri Nano dhe partia e tij do të kenë përballë në zgjedhjet e ardhshme jo vetëm kundërshtarin e tij historik – ish-presidentin Berisha dhe Partinë Demokratike, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Një situatë e tillë, në pamje të parë, duket se e vështirëson futjen në lojë të kryetarit të Bashkisë. Por, për të njëjtat arsye, angazhimi i një personazhi kontraversial, por gjithsesi karizmatik dhe thuajse popullor, veçanërisht te pjesa jo militante e shoqërisë, do të ishte më i domosdoshëm se kurrë për garën e ardhshme politike të PS përballë opozitës së PD. Vetëm pak kohë më parë, Kryeministri Nano me një tufë këshilltarësh të vet, përfshirë median, vizitoi për herë të parë Bashkinë e Tiranës, krejt njëlloj sikur të vinte nga një planet tjetër.

Rama u shfaq në TV-të lokale, i gjatë dhe thuajse i pavëmendshëm, duke biseduar me Kryeministrin Nano për politikat e qeverisjes lokale. Duket se Nano po heziton ta ftojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës t’u bashkohet socialistëve të tij në betejën e ardhshme elektorale. Hezitimi i Kryeministrit Nano është i qartë dhe i kuptueshëm. Sepse ftesa e Nanos për Ramën në thelb do të jetë një ofertë. Dhe jo një ofertë dosido. Sepse çfarë mund të jetë oferta e Nanos për njeriun që, të nesërmen e anëtarësmit në PS kërkoi lidershipin e Partisë?

Nëse Nano do të hezitojë deri në fund për t’i bërë një ofertë kryetarit Rama, duket se gjëja më e pakët që socialistët e Nanos mund të kërkojnë, është që Rama të qëndrojë jashtë loje. Ndonëse ka pak gjasa që të ndodhë, një angazhim i Ramës me LSI-në e Ilir Metës do ta vështirësonte pozitën e Partisë Socialiste të Kryeministrit.

Ndërkaq, duket se edhe te LSI-a ekziston frika nga Rama. Një aleancë të Nanos me kryetarin e Bashkisë në zgjedhjet e ardhshme, LSI-a nuk do ta dëshironte kurrsesi.

Pak pas vizitës së kryetarit Nano në Bashkinë e Tiranës, eksponentë të LSI-së gjithashtu takuan me kryetarin Rama. Sabit Brokaj, një figurë e lartë e partisë së Ilir Metës, tha pas këtij takimi se LSI-ja e ka mbështetur kryetarin e Bashkisë dhe gjithashtu kryetari i Bashkisë “i ka mbështetur idetë tona”, tha ai. Pra, duket se gjëja më e paktë që të dy palët socialiste do të donin, është një mosangazhim i Edi Ramës.

Dhe jo vetëm kaq. Duket se një armëpushim është vendosur edhe midis opozitës, përkatësisht Partisë Demokratike dhe kryetarit të Bashkisë. Rama, i anatemuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të dukshme nga opozita, nuk është më në zjarrin e përqëndruar të opozitës. Dhe po kështu, opozita dhe lidershipi i saj nuk janë më objekt sulmesh të stilit të njohur Rama. Një armëpushim i përkohshëm nga të dyja palët për arsye të ndryshme: Opozitës nuk do t’i interesonte një zbritje në fushë e një kundërshtari si Rama dhe vetë Ramës përse do t’i duhej një luftë me doktorin, që nesër mund të jetë Kryeministër?

Ndërsa duket se paqja mbretëron nga të gjitha anët, Rama ka zgjedhur të shfaqet në takime pluraliste dhe për më tepër, me pozicione politike mbipartiake. Një rikthim te pavarësia nga partitë, apo përpjekje për të rritur ofertën që pret më së shumti nga kryetari Nano?

“Frikë nga Rama?”, në fakt është vetëm njëra nga përgjigjet për akisonet politike më të fundit të kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit. Dhe padyshim që kjo përgjigje nuk është e plotë dhe e vetmja përgjigje. Pas Shkodrës, Rama u shfaq në takime publike edhe në qytete të tjera si Koplik, Laç, Burrel. A përbëjnë vërtet lëvizjet e Ramës një lëvizje të “paangazhuar”?

Gjatë një interviste për televizionin “Klan”, Kryeminsitri Nano u shpreh ca i habitur për idenë e daljes së Ramës si i pavarur. Zgjedhje, ka këtë verë, kujtoi Nano, por zgjedhje do të ketë edhe në vitin 2006. Është fjala për zgjedhjet lokale.

Ndërkaq, lëvizja e “paangazhuar” e Ramës ka filluar të shqetësojë të paktën, tani për tani, edhe LSI-në e Ilir Metës, kur eksponentë të kësaj partie u shprehën se turi verior i Edi Ramës çon ujë në mullirin e Nanos.

A mund të jetë vërtet një lëvizje e “paangazhuar” turi i Ramës, kur, siç thotë një analist, Rama i ngjan një meteori, i ndritshëm, shumë i ndritshëm, por gjithsesi një meteor që megjithë popullaritetin individual, mund të “digjet” pa mbështetjen e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›