E Hënë, 2 Nëntor 2026

KLSH, Bashkia dhe Ujësjellësi i Tiranës, 200 milionë lekë humbje

05/03/2005  Bashkia e Tiranës e ka shkelur me prokurimet dhe pagesat që u ka bërë të tretëve, duke dëmtuar arkën e vet. Janë 20 milionë lekë të reja që Bashkia mund t’i quajë të humbura dhe që janë konstatuar nga kontrolli i fundit i KLSH–së. Por duket se, kjo është fatura më e lehtë e humbjeve e konstatuar nga KLSH-ja. Ujësjellësi i Tiranës, që varet nga Bashkia, e ka patur edhe më të rëndë faturën e dëmit ekonomik nga mosarkëtimet e kamatvonesave, por dhe nga shpërblimet e dhëna pa kriter. Janë rreth 180 milionë lekë të humbura nga vendimet e padrejta të marra prej Këshillit Mbikëqyrës. “Gjatë kontrollit në Bashkinë e Tiranës, janë evidentuar të meta dhe shkelje e disiplinës financiare me dëme efektive ekonomike, kryesisht në përdorimin e fondeve publike”, ka bërë të ditur inspektori i KLSH–së. Bashkia duhet të ketë më të fortë kontrollin e brendshëm, funksionimi në rregull i të cilit do të kishte parandaluar shkeljet financiare prej 20 milionë lekësh. Kështu mund të thuhet se, edhe pse performanca në punë e punonjësve të Bashkisë ka qenë e lartë, duket se kontrollit i ka shpëtuar një faturë e rëndë prej 8.6 milionë lekësh e mbledhur nga të ardhurat dytësore, që me sa duket janë shpenzuar vetëm për paga dhe shpenzime të tjera, brenda vlerës së 20 milionë lekëve të humbura. KLSH-ja ka konstatuar se Bashkia nuk është treguar aq e zgjuar në kontratën që ka lidhur me “Ecoacqua”, duke i sjellë arkës së vet një humbje prej 6.2 milionë lekësh. Ajo që përmendet nga KLSH-ja në lidhje me administrimin e fondeve publike në Bashki, ka lidhje dhe me një sërë prokurimesh në lidhje me punimet në infrastrukturë, ku duket se nga paaftësia e punonjësve të bashkisë kanë fituar të tretët. Nga ana tjetër, duket se financat e Ujësjellësit të Tiranës janë të dëmtuara rëndë. Vetëm nga mosmbledhja e kamatvonesave, Ujësjellësi ka humbur 51 milionë lekë. Por duket se kjo faturë nuk ka shqetësuar Këshillin Drejtues, i cili ka vendosur të ndajë në formë shpërblimesh një fond prej 63 milionë lekësh. KLSH-ja ka futur në listën e humbjeve ekonomike dhe format e gabuara me të cilat shoqëria ka llogaritur amortizimet, duke i faturuar një dëm ekonomik prej 56.9 milionë lekësh. Duke llogaritur amortizimin e pajisjeve për kohën e 2002–2003, kur janë bërë këto kontrolle, vlera e dëmit ekonomik në kurriz të Ujësjellësit shkon deri në 208 milionë lekë të reja. Gjatë raportimit, KLSH-ja e ka quajtur me vend të japë informacionet në lidhje me shkeljet e këtyre dy institucioneve, që duket se kanë influencë të lartë mbi publikun. “Ky informim bëhet i domosdoshëm po të kemi parasysh peshën që kanë këto institucione në plotësimin e nevojave të përditshme jetësore të popullsisë së kryeqytetit”, ka bërë të ditur në Raportin e vet KLSH-ja.

KLSH pret fletën e gjobave

Në fund të kontrollit, KLSH-ja ka prerë dhe fletën e gjobave. Duket se dora e inspektorëve tatimorë ka qenë më e rëndë për punonjësit dhe drejtuesit e Ujësjellësit të Tiranës, për të cilët është kërkuar deri në ndjekje penale. Bashkisë do t’i duhet të kthejë në arkën e vet paratë e munguara, ndërkohë që duket se punonjësit e saj kanë shpëtuar pa gjoba dhe pa fletë pushimi nga puna. Ndryshe është situata në Ujësjellësin e Tiranës, ku penaliteti më i vogël është gjobë deri në 100 mijë lekë, ndërkohë që duket se pushimet nga puna dhe vërejtjet me paralajmërim kanë prekur 12 punonjës. Ajo që është më e rëndë, është kërkesa e KLSH-së për kallëzim penal në organet e Prokurorisë për ish- drejtuesit e Ujësjellësit në periudhën që janë bërë kontrollet.

Kthimi i shpërblimeve të marra padrejtësisht

Gjoba deri 100 mijë lekë për 16 punonjës

Vërejtje dhe largim nga detyra për 12 punonjës

Shkeljet në Bashkinë e Tiranës

Kontrata për pastrimin e pjesës lindore të Tiranës 6.2 ml

Prokurim i pajisjeve për softuere dhe sinjalistikën 1.3 ml

Përdorimi i të ardhurave dytësore jashtë destinacionit 8.6 ml lekë

Shkeljet në Ujësjellësin e Tiranës

Mosmbledhja e kamatvonesave konsumatorëve 51 ml lekë

Llogaritje jo e saktë e vlerave të amortizimit 56.9 ml

Dhënie shpërblimesh, duke shkaktuar dëm ekonomik 63 ml

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›