E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakënaqësit rreth koalicionit LDD-AAK

Disa ditë pas njoftimit për koalicion parazgjedhor në mes të LDD-së dhe AAK-së, nënshkrues të së cilës ishin dy liderët e partive përkatëse, Nexhat Daci dhe Ramush Haradinaj, kanë filluar të shfaqen edhe të pakënaqurit për këtë koalicion.
Kështu, dega e pestë e LDD-së në Prishtinë, e cila mbajti një takim ditën e martë, takim në të cilin ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i degës së LDD-së për Komunën e Graqanicës si dhe Shefki Gashi, anëtar i kryesisë qendrore të LDD-së, u diskutua për gjendjen pas krijimit të koalicionit LDD - AAK.

Kjo kryesi nuk u pajtua me marrëveshjen e arritur në mes të Nexhat Dacit dhe Ramush Haradinajt.

“...prandaj dega e pestë e LDD-së vendosi njëzëri që të përcaktohen dhe të respektohen vendimet e fraksionit të LDD-së, që udhëhiqet nga znj.Gaxherri dhe anëtarët e tjerë të kryesisë së LDD-së, për vazhdimin e bisedimeve deri në marrëveshjen për koalicionin me LDK-në e z.Isa Mustafa”, thuhet në një njoftim të Degës së Pestë të LDD-së, transmeton Zëri.

Kjo Degë thekson se për hapat e mëtejmë, do ta njoftojë opinionin me kohë.

Ndërkaq, edhe Gani Geci nga LDD, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes në mes të LDD-së dhe AAK-së, kishte deklaruar se nuk e mbështetë atë marrëveshje, duke paralajmëruar rikthimin e tij dhe të familjes në Lidhjen Demokratike të Kosovës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›