Turizmi, sivjet më pak pushues dhe me bukë me vete
Ervin KOÇI
Kriza ekonomike dhe çmimet më të kripura se uji i detit, i kanë katandisur pushimet e shqiptarëve këtë vit, njësoj si ato të para viteve ’90. Edhe pse nuk e kanë braktisur detin, qindra mijëra shqiptarë këtë verë kanë përzgjedhur pushimet sa më të lira, pasi xhepat nuk ua kanë përballuar dot shpenzimet që çdo vit bëhen më të larta. Më mirë se kudo situata konstatohet po të bësh një xhiro dy-tre ditore nga Velipoja deri në Sarandë, ku syri të shikon pushues “të lodhur”. Kjo për faktin se me gjithë dëshirën e madhe për të pushuar dhe shpenzuar për qejf, kufizimet financiare kanë mposhtur çdo joshje dhe tundim të verës. Numri i pushuesve në të gjitha plazhet e vendit këtë sezon turistik, ka rënë ndjeshëm. Operatorët turistikë në plazhet më të njohura të vendit, shprehen të pakënaqur për këtë vit, pasi nuk po frekuentohen më si vite më parë. Ata nuk dinë të shpjegojnë nëse kriza ekonomike është faktori kryesor, por fajësojnë strukturat shtetërore për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Në plazhin e Durrësit këtë vit ka rënë edhe numri i pushuesve kosovarë e maqedonas, të cilët e kanë pasur Durrësin si stacionin e tyre të preferuar për pushimet verore.
Operatorët
Operatorët turistikë janë të parët që kanë ndjerë “erën e djegur” të dështimit nga politikat turistike të pastudiuara mirë. Ata kanë nisur prej muajsh të qahen për mungesën e turistëve, por në asnjë çast nuk guxojnë të ulin qoftë edhe 1% çmimet e shërbimeve të tyre. “Nga Shqipëria nuk ka aq shumë, edhe të ardhurit nga Maqedonia janë më pak dhe nuk shpenzojnë. Ndoshta është kriza, por edhe rrugët nuk janë të rregullta”,- thotë një operator turistik. “Puna e krizës, problemet e shumta që ka Durrësi, menaxhimi më i mirë. Ne akoma nuk kemi rrugë dhe ujë, ndërkohë që njerëzit duan më të mirën”,- thotë një tjetër operatore. Asfaltimi i rrugëve që të çojnë drejt plazheve në jug të vendit thonë operatorët turistikë ka bërë, që bashkatdhetarët të frekuentojnë plazhet e Vlorës dhe Sarandës, por në fakt realiteti tregon se edhe në këto plazhe ka një rënie të dukshme të pushuesve. Plazhet e Radhimës, Dhërmiut, Himarës, Borshit përfshirë këtu Saranda dhe Vlora ku pritej që të paktën në muajin gusht të ishin të tejmbushur, vihet re e kundërta.
Çmimet
Pronarët e hoteleve apo familjarët që lëshojnë dhoma me qira, kanë mbetur të zhgënjyer pasi nuk kanë pasur rezervime si vitet e kaluara. Një ndër arsyet kryesore sipas pushuesve janë çmimet tepër të larta si për fjetjen, por edhe për ushqimin. Në Dhërmi, një shishe ujë 500 mililitër shitet me 200 lekë, duke prodhuar një fitim 10-fish tek uji, pa llogaritur pijet freskuese apo peshkun. Fjetja një natë në kabinat e plazhit në Dhërmi është 60-70 euro ku shpesh nuk të sigurohet uji i ngrohtë, energjia e mjaftueshme dhe orenditë më minimale. Pak më të ulëta janë çmimet në dhomat e familjarëve, të cilat variojnë 30-50 mijë lekë nata. Por edhe në plazhe të tjera abuzohet në mënyrë të pakontrolluar me çmimet ndaj pushuesve. Kjo ka bërë që shqiptarët të preferojnë më shumë plazhet jashtë Shqipërisë, ku me të njëjtën kosto, operatorët turistikë të huaj ofrojnë madje edhe luks.
BOX/////////////////////////////
Turizëm apo piknik, të gjithë me bukë me vete
Fundjava dhe njëkohësisht fillimi i muajit gusht ka qenë me fat për shitësit e fruta-perimeve. Sidomos dita e parë e këtij muaji ka qenë e mbarë për tregtarët e produkteve ushqimore. Kjo për shkak se, ato familje kryeqytetase që niseshin me pushime për pesëmbëdhjetëditëshin e parë të gushtit, për shkak të krizës ekonomike janë nisur me një sasi ushqimesh me vete. "Si rrallëherë, çdo gjë që kemi nxjerrë për të tregtuar, na u shitën të gjitha. Të shtunën dhe të dielën, edhe pse fundjavë, ne kemi pasur shumë punë. Pjesa më e madhe e blerësve ishin persona që do nisnin pushimet, dhe blinin sasi të mëdha frutash, zarzavatesh apo perimesh",- tregojnë shitësit e tregut pranë ish-uzinës “Dinamo”. Kriza ekonomike ka bërë që këtë verë Tirana të mos jetë e boshatisur si vitet e tjera. Edhe pse temperaturat shpeshherë kanë kapur 40 gradë, në rrugët e kryeqytetit ka kalimtarë të shumtë, po ashtu edhe numri i automjeteve ka qenë i lartë. Kjo shihet sidomos në ditët e hëna, ku në shumë rrugë, sidomos pikat hyrëse dhe dalëse të metropolit sërish bllokohesh në trafik.
4 Gusht 2010