Pushimet në Pogradec, qyteti nis të rifitojë shkëlqimin e humbur
Ndryshe nga plazhet e jugut, Pogradeci këtë vit ka një rritje të numrit të pushuesve. Përveç pamjes atraktive, klimës së freskët, pogradecarët nikoqirë kanë ditur të tërheqin pushuesit falë dhe investimit për sistemimin e ujërave të zeza. Çmimet në Pogradec janë normale për një zonë turistike. “Kam zgjedhur Pogradecin se uji është më i pasur këtë vit”,- shprehet një pushues. “Janë edhe njerëz të mrekullueshëm”,- shton një tjetër. Sipas drejtorit të ujësjellës-kanalizimeve, për dy vite me radhë është punuar për realizimin e një projekti gjerman, ndërkohë që synohet që në një tjetër fazë të bëhet dhe pastrimi i algave. “Në Pogradec, është duke u zbatuar një projekt shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit të Ohrit dhe në këtë kuadër është bërë rregullimi i derdhjeve të ujërave të zeza në liqen”,- deklaron Ilirjan Mimini. Sezoni veror ka sjellë në qytetin e Pogradecit rreth 50 mijë turistë dhe pritet që në muajin gusht të ketë një shtim të tyre.
Turizmi malor, pushimet ndryshe mes freskisë së Bjeshkëve
Puka po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion turistik, jo vetëm për turistët vendas, por edhe për ata të huaj. Të pasionuarit pas malit, ajrit të pastër dhe freskisë si një ndër mundësitë për të kaluar disa ditë pushime, tashmë po udhëtojnë drejt Pukës përmes rrugës që zgjat vetëm dy orë nga Tirana. Në mjediset e Hotel Turizmit në Pukë këto ditë është e vështirë të gjesh vende për akomodim, pasi pushuesit janë të shumtë. Ajri i pastër dhe i freskët, klima kuruese, qetësia, mikpritja e banorëve dhe ushqimet e shijshme në qytetin e rrethuar nga pyjet janë disa nga faktorët që tërheqin turistët në Pukë. Turizmi familjar në të ashtuquajturit hane, bujtina apo shtëpi turistike i jep një tjetër hov zhvillimit të turizmit në qytetin e Pukës. Banorët e Pukës po punojnë fort për ta shndërruar qytetin në një destinacion të turistëve, që preferojnë malin për të kaluar pushimet.
Sarandë, mungon zyra e informacionit për turistët dhe pushuesit
Rreth 300 turistë të huaj në një ditë hynë në skajin më jugor të vendit, në Sarandë. Sipas Drejtorisë së Turizmit në këtë qytet bëhet fjalë për turistët që hyjnë nëpërmjet portit të qytetit, të cilët me të mbërritur aty kërkojnë të njihen me të dhënat e qytetit. Por në Sarandë mungon zyra publike e informacionit, e cila është parashikuar të ndërtohet pranë portit të qytetit. Megjithatë siç funksionin çdo sistem tjetër në Shqipëri, ku me të pyetur gjen Stambollin, duket se edhe turistët e huaj përshtaten shumë shpejt me këtë fenomen duke kërkuar mundësi alternative që japin guidat turistike për qytetin. Orientimi më i mirë mbeten zyrat private të informacionit, nëpërmjet agjencive turistike. Nga këto zyra pretendohet se shërbehet me standarde europiane, por janë të pakta hotelet në Sarandë që pranojnë rezervimet përmes zyrave të agjencive turistike.
Vlorë, OSSH ndërpret energjinë për 500 hotele debitorë
Hotelet e zonës së “Ujit të Ftohtë” në Vlorë rezultojnë në pjesën më të madhe debitorë ndaj OSSH-së. Kjo ka bërë që pikërisht me fillimin e muajit gusht, që shënon dhe fluksin më të lartë të pushuesve në Vlorë, hoteleve t’u ndërpritet energjia elektrike. Për rrjedhojë me qindra pushues që këtë vit kanë zgjedhur “Ujin e Ftohtë” për të pushuar, hasën me mungesën e energjisë, aq e domosdoshme në ditët e plazhit. Një grup Taks-Force, nën drejtimin e Ermal Muratit, shef i Drejtorisë së Faturimit pranë OSSH-së, ka nisur aksionin në qytetin e Vlorës për ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj të gjitha subjekteve debitore. Sipas Muratit, aksioni do të jetë i shtrirë në një afat kohor 3-javor deri në marrjen e gjithë debisë prej 20 milionë lekësh, që rreth 500 subjekte nuk e paguajnë prej shumë muajsh. Rreth 80 për qind e këtyre debitorëve janë hotele, restorante dhe bare në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Studimi: Deri në 2050, 15% e energjisë do prodhohet nga detet
Përdorimi i fuqisë së detit për të prodhuar energji, tashmë është bërë realitet. Në Evropë janë bërë gati një sërë projektesh pilot, ndërkohë që po piketohet mënyra sesi do të përdoret fuqia e rrymave dhe valëve të detit për të prodhuar energjinë elektrike. Sipas një studimi të Hartës Evropiane Oqeanike, ujërat e detit janë pikërisht ato që ofrojnë energjinë potenciale të ujërave, më të madhe edhe se ato të lumenjve apo liqeneve, nga të cilat prodhohet aktualisht energji elektrike. Sipas parashikimeve të studimit duke hequr barrierat teknike dhe praktike të këtij sektori, mund të çohet në një rritje të prodhimit të energjisë detare gjatë periudhës së dekadave 2020-2050. Pritet që deri në vitin 2050 me instalime në brigjet e Atlantikut të Veriut dhe Detit Mesdhe, të sigurohet 15% e totalit të prodhimit të energjisë elektrike, e cila deri tani sigurohet nga digat në liqene
4 Gusht 2010