Dogana, kapen kontrabandë 1 milion dollarë mallra
Strukturat e antikontrabandës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës, kanë kryer një sërë kontrollesh në ditët e para të muajit tetor, duke zbuluar sasi të konsiderueshme mallrash kontrabandë. Vlera e tyre prek shifrën e rreth 1 milion USD dhe kryesisht bëhet fjalë për artikuj cigare. Konkretisht, administrata doganore njoftoi dje se grupet e Antikontrabandës pranë Drejtorisë së Përgjithshme kanë ushtuar kontroll në të gjitha pikat doganore në vend për periudhën 1 deri më 13 tetor 2008, duke vendosur penalitete në një shumë të konsiderueshme prej rreth 96 milionë lekë. "Subjektet kanë pasur shmangie në vlerë dhe sasi të mallit, në ndryshim me faturat e paraqitura në doganë", shprehen burime zyrtare të doganës. Kështu, gjatë kontrolleve të Grupeve të Antikontrabandës për të njëjtën periudhë janë gjetur edhe sasi të konsiderueshme mall i padeklaruar. Çështja e evazionit fiskal për sa i takon artikullit të cigares vazhdon të mbetet problem serioz për autoritetet doganore në vend. Në këtë kuadër, puna për minimizimin e këtij fenomeni ka sjellë gjatë kontrolleve të ushtruara efektet të ndryshme. Lidhur me punën e bërë, doganat raportojnë se janë sekuestruar 677 steka cigare të markave të ndryshme, kryesisht "Malboro" të ndodhura në bagazhet e automjeteve, mall i cili tentohej të futej kontrabandë si dhe 100 kg kafe. Aktualisht, niveli i zhdoganimit të cigareve ka prekur 2 mijë e 616 tonë, me një rritje prej 538 tonë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 26% më shumë. Kur kanë mbetur dhe tre muaj nga mbyllja e vitit, doganës i duhen më shumë punë për të realizuar planin, i cili për të gjithë vitin është 4 mijë tonë cigare. Në dy vitet e fundit, dogana ka pasur probleme me nivelin e ulët të zhdoganimit të cigareve, efekti i të cilës solli humbje për buxhetin e shtetit. Kanalet e trafikut shtrihen kryesisht në veri të vendit, por që, sipas autoriteteve doganore, kalimi i mallit kryhet me mjete transporti, tepër të vështira për të neutralizuar nga inspektorët e antikontrabandës. Për sa i takon kafes, edhe ky produkt i shigjetuar nga kontrabandistët, duket se i ka kaluar problemet me evazionit fiskal. Shifrat e fundit flasin për një nivel zhdoganimi, 4 mijë e 71 tonë, me një rritje prej 89 tonë më shumë se 8-mujori 2007 ose 2%. Trupat e Antikontrabandës ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm gjatë 24 orëve pranë pikave doganore.