E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jep dorëheqjen kryepolici i Tiranës

Kreu i Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, ka vendosur të japë dorëheqjen. Tridhjetë muaj pas marrjes së detyrës në krye të Drejtorisë më të rëndësishme të Policisë në vend, ai ka përgatitur dorëheqjen për arsye shëndetësore. Megjithatë, ai nuk do të largohet përfundimisht nga policia, por do të gjejë një vend më të qetë, për të kaluar edhe pak kohë në polici. Nga ana tjetër, krerët e policisë kanë nisur punën për të gjetur emrin që do të zëvendësojë Rrumbullakun, i cili ishte i pari person, që implementoi strukturën e re të Policisë së Shtetit, atë të Patrullës së Përgjithshme. Kështu, në vendin e tij është komanduar një tjetër drejtues policie, Hamdi Fjora. Ndërkohë, ndryshime të tjera kanë pasuar në polici në nivel të lartë drejtues. Megjithatë, zëvendësuesi përfundimtar i Rrumbullakut mbetet çështje e hapur për policinë e kryeqytetit. Burimet policore thanë se një nga emrat e propozuar për të zënë përfundimisht karrigen e Rrumbullakut, është ai i Tonin Vocajt, oficer i lartë policie, i cili aktualisht është me detyrë në Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Rrumbullaku

Burimet policore bënë të ditur se Rrumbullaku ka paraqitur prej kohësh dorëheqjen edhe te drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por jo definitive. Sipas të dhënave, ky veprim është ndërmarrë kohë më parë nga ana e kreut të policisë së kryeqytetit, i cili ka njoftuar edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Madje, në një nga këto ditë, pritet që ai të mbajë edhe një fjalim para tyre, për t‘i përgëzuar për punën e kryer me ta. Burimet nga policia e Tiranës u shprehen se Drejtues i Parë, Muhamet Rrumbullaku, ose siç njihet me gradën e vjetër Kryekomisar, e ka motivuar dorëheqjen e tij për arsye shëndetësore. Ai është shprehur te vartësit e tij se do të emërohet në një tjetër detyrë. Nga të dhënat rezulton se Rrumbullaku do të emërohet në krye të Akademisë së Policisë. Në një prononcim për "Shqip", ai ka deklaruar se këtë kërkesë ia kishte paraqitur kreut të policisë shqiptare kohë më parë, ndërkohë që dje është zyrtarizuar. Tashmë, ai është emëruar drejtor i Akademisë së Rendit, pikërisht aty ku nisi karrierën e tij.

Ndryshimet

Emërimet e djeshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi për Muhamet Rrumbullakun si drejtor i Akademisë së Policisë dhe Shkëlqim Saçon, si drejtor i Drejtorisë së Arsimit Policor në Departamentin e Trajnimit Policor, janë cilësuar si sinjal i rëndësisë që Policia e Shtetit po i kushton shërbimit ndaj publikut. "Të dy këta drejtues policor janë dalluar për profesionalizëm dhe përkushtim, dhe ata do të jenë në gjendje të përballojnë sfidat për implementimin e një modeli më profesional për trajnimin e policisë, ashtu siç kërkohet nga ligji i ri i Policisë së Shtetit", u shpreh Prençi, në një komunikim për shtyp. Muhamet Rrumbullaku do të drejtojë të gjitha trajnimet për personelin e ri, që do të shërbej në polici, si dhe programin e trajnimit bazë 11 javor, i nevojshmen për 6500 oficerë policie në nivel operacional. Ky trajnim do të përfshijë përgatitjen e një stafi më profesional; do të menaxhojë oficerët për trajnimet në terren, si dhe koordinimin e një investimi prej 6 milionë eurosh në Akademinë e Policisë, investim i dhënë nga BE. Ndërsa Shkëlqim Saço do të jetë përgjegjës për menaxhimin e të gjitha trajnimeve për zhvillim profesional në të 12 drejtoritë e qarqeve, si dhe të gjithë departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ndërkohë, veç këtyre dy drejtuesve, policia ka pasur edhe disa ndryshime të tjera. Me këto ndryshime, Policia e Shtetit synon të japë sinjalin e vendosmërisë dhe rëndësisë për të ofruar një shërbim policor të trajnuar mjaftë mirë për një staf më profesional, për të përmbushur misionin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në përputhje me ligjin si edhe në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Sipas Policisë së Shtetit, këto lëvizje janë mirëpritur dhe mbështetur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që asistojnë policinë, ICITAP dhe PAMECA, të cilët kanë ofruar këshilltarët e tyre me kohë të plotë për të mbështetur punën e këtyre strukturave.

Ndryshimet e fundit

1. Drejtues i Parë, Muhamet Rrumbullaku, deri dje drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet drejtor i Akademisë së Policisë

2. Drejtues i Parë, Hamdi Fjora, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale, në Departamentin e Sigurisë Publike, caktohet përkohësisht si drejtor i Policisë Qarkut Tiranë

3. Drejtues i Parë, Jashar Vreka, deri tani drejtor i Akademisë së Policisë, emërohet këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

4. Drejtues i Parë, Shkëlqim Saço, deri më tani këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, emërohet drejtor i Drejtorisë së Arsimimit Policor në Departamentin e Trajnimeve

5. Drejtues Edmond Rizai, deri me tani zv.drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm

6. Kryekomisar Arben Caka, deri tani kryente detyrën e shefit të Seksionit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, caktohet përkohësisht si zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë

"Ja pse iki"

Letra e "lamtumirës" së

kryekomisarit të Tiranës

Me largimin e tij nga drejtimi i Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku ka mbajtur edhe fjalimin e lamtumirës për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, duke deklaruar se do të jetë sërish pranë tyre. "Në përfundim të detyrës time, si drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, do të doja të shprehja kënaqësinë dhe respektin për punën dhe bashkëpunimin që kam pasur me të gjithë stafin drejtues të kësaj drejtorie. Është kënaqësi dhe krenari gjithashtu, për vlerësimin e punës së Policisë së Tiranës, punë e mbushur me devocion e përkushtim në shërbim të Ligjit dhe të komunitetit, qytetarëve, nxënësve, studentëve, biznesit etj., duke radhitur Policinë e Tiranës në pararojë të rezultateve të arritura për realizimin e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ky progres, lidhur me sigurinë e rendit publik dhe goditjen e krimit në tërësi, në Qarkun e Tiranës është mjaft i dukshëm, i ndjeshëm dhe i vlerësuar, nga qytetarë shqiptarë dhe të huaj, figura ndërkombëtare politike, por dhe organe mediatike", shprehet, në letrën e lamtumirës, Rrumbullaku. Ai ka mbi 30 vjet punë në polici. Pikërisht në vitin 1988 ka mbaruar Akademinë e Policisë, ndërkohë që menjëherë ishte emëruar në Burrel, ku ka qëndruar për pesë vite. Më pas, ai ka kryer një sërë shërbimesh policore në kuadrin e antikrimit. Nga ana tjetër, zëvendësuesi i tij i përkohshëm, Hamdi Fjora, vjen nga radhët e ushtrisë. Pikërisht në vitin 1994, ai është emëruar në polici, pikërisht në repart special, si komandant grupi. Në vitin 2000, ai është emëruar si shef shtabi te RENEA, ndërkohë që në vitin 2004, shef zyre për përgatitjen. Gjithashtu, ai ka punuar edhe në disa rrethe dhe së fundmi ishte emëruar drejtor i Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale, në Departamentin e Sigurisë Publike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›