E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët dalin në protestë për statusin

Minatorët e Bulqizës kanë protestuar dje për t‘i kërkuar qeverisë nxjerrjen e statusit për minatorët, uljen e moshës së pensionit në 50 vjeç dhe konvertimin e kësaj moshe sipas standardeve ndërkombëtare me koeficient 1.5 deri në 2, që do të thotë se 1 vit punë në galeri të njihet 1,5 deri në 2 vite vjetërsi pune për daljen në pension. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kolë Nikolli, i cili mori pjesë në këtë protestë, tha se është qesharake të punosh në minierë deri në moshën 65 vjeç, kur në çdo vend të botës kjo moshë shkon deri në 50 vjeç. "Ndërkohë, ne kërkojmë me insistim të integrohemi në Evropë, qeveria nuk bën asnjë lloj përpjekje për unifikimin e ligjeve të punës në nëntokë me ato ndërkombëtare. Kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë që pensioni i minatorit të jetë mbi minimumin jetik, që sipas llogarive tona si sindikatë ai duhet të jetë në kufijtë e 30 mijë lekëve të reja", tha Nikolli. Ai u shpreh më tej se "mafia e kromit, që më tepër se kudo ka mbërthyer Bulqizën, nuk është luftuar siç duhet, ndaj kërkojmë nga Prokuroria e Përgjithshme që kjo luftë të vazhdojë". Sipas kryesindikalistit, ka ardhur një moment ku minatorët nuk mund të durojnë më varfërinë e tejskajshme të tyre, ndaj qeveria duhet të kthejë vëmendjen për plotësimin e kërkesave të minatorëve. Kjo protestë që nisi dje në qytetin minator të Bulqizës, qendra më e madhe krommbajtëse në vendin tonë dhe më gjerë, do të shtrihet në ditët në vazhdim në të gjitha zonat mineralmbajtëse të vendit, të cilat do të vijnë duke u përshkallëzuar deri në plotësimin e kërkesave të ligjshme të minatorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›