E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Ekonomikut protestojnë para Rektoratit të UT-së

Studentët e Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, pas protestës së ditës së parë të vitit të ri akademik i kanë zënë derën dje Rektoratit. Një përfaqësi e këtyre studentëve janë takuar me rektorin e UT-së, Dhori Kule, që vetëm një vit më parë ka qenë dekan i Fakultetit Ekonomik dhe njohës shumë i mirë i problematikave të këtyre të rinjve. Përfaqësuesit e kësaj proteste studentore e kanë njohur rektorin Kule me pretendimet e tyre, ku më kryesori lidhet me rrëzimin përfundimisht të stazhit. Por, edhe lejimi i dhënies së provimeve në ato sezone, që ndryshe kanë filluar të quhen si vjeshtë e vogël. Për të rinjtë që rrezikojnë të humbasin një vit nga jeta e tyre studentore, si pasojë e provimeve të mbetura, stazhi nuk mund të quhet kurrsesi një zgjidhje. Ata kanë kërkuar nga rektori Kule që të shohë mundësinë për të rikthyer vjeshtën e vogël, që u premtua dhe u zbatua një vit më parë, gjatë stinës zgjedhore të autoriteteve drejtuese universitare.

Studentët e Ekonomikut, që iu janë bashkuar këtyre kërkesave, nuk janë të paktë në numër. Sipas përfaqësuesve të tyre, studentë që rrezikojnë me provimet e mbetura janë rreth 1300 vetë. Nga ana tjetër, tejet e fortë ka qenë edhe dje denoncimi i tyre ndaj asaj që e kanë cilësuar si detyrim për t‘iu nënshtruar kurseve private. Përfaqësia e studentëve protestues është shprehur: "Fakti që qindra studentë detyrohen të ndjekin kurse private, që reklamohen në mjediset e fakultetit, me vlerë mbi 200€ për çdo student, duke arritur vlerat mbi 100000€ sezoni, tregon që sistemi publik po ushqen bizneset private nëpërmjet dështimit të tij. Fakti që studentët zgjedhin të shkojnë në kurse private, të harxhojnë me dhjetëra orë kohë suplementare, të shpenzojnë paratë e familjes, në një kohë që sistemi i arsimit publik është falas, tregon që sistemi arsimor publik nuk ofron as detyrimin minimal të cilësisë mësimore, të garantuar nga neni 59 i ligjit të Arsimit të Lartë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›