Shpërthimi gazit në Lapardha, vdes në Itali pronari i dyqanit
Shpërthimi i gazit në një pikë tregtimi në fshatin Lapardha, të Rrethit të Beratit, ka shkaktuar viktimën e dytë. Pronari i pikës së tregtimit të gazit, Beqar Cani, ka ndërruar jetë të hënën në mbrëmje në Itali. 37-vjeçari nuk ka mundur t‘u rezistojë më gjatë plagëve të marra gjatë shpërthimit në pronën e tij, ndërkohë që familja ka nisur procedurat për tërheqjen e trupit. Burime që i referohen familjes Cani në fshatin Lapardha të Beratit, bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme nga spitali i Brindizit në Itali mbërriti lajmi për vdekjen e tij. Beqar Cani u dëmtua rëndë më 29 shtator, ndërsa para 10 ditësh, mjekët e repartit të djegieve në qendrën spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë vendosën transferimin e tij drejt Italisë, për një ndihmë më të specializuar. Por, me gjithë ndihmën mjekësore të marrë, Cani nuk mundi të mbijetojë. Ngjarja e rëndë, që i mori jetën nëntëvjeçares Artemisa Cani dhe tashmë babait të saj, ndodhi më 29 shtator, në fshatin Lapardha, pak kilometra larg qytetit të Beratit. Një shpërthim, i klasifikuar nga policia si aksidental, u bë shkak i një zjarri të madh. Vogëlushja, që ndodhej në një nga ambientet e dyqanit në momentin e shpërthimit, gjeti vdekjen e menjëhershme, duke u bërë viktima e parë e kësaj ngjarjeje të rëndë. Dy prindërit, Beqar dhe Suzana Cani, si dhe Pashajev Ago, shoferi që drejtonte autobotin me gaz, mbetën të plagosur rëndë, si pasojë e shpërthimit. Policia e konsideroi ngjarjen si aksidentale, ndërkohë që biznesi disavjeçar i familjes Cani rezultoi si i rregullt. Shpërthimi i ndodhur në pikën e tregtimit të gazit të lëngshëm erdhi si pasojë e një pakujdesie gjatë montimit të tubave për përcjelljen e gazit të lëngshëm nga mjeti autobot drejt depozitës së gazit që ndodhej në pikën e tregtimit. Ndërkohë mësohet se Komuna Otllak, ku ndodhet fshati Lapardha, ka ofruar ndihmën e saj për familjen Cani, për të tërhequr nga Italia trupin e pajetë të kryefamiljarit. Kryetari i Komunës Otllak, Lefetr Maliqi, bëri të ditur se i është drejtuar Ministrisë së Jashtme për të nisur procedurat për tërheqjen e trupit të 37-vjeçarit Beqar Cani.