Dogana nis fushaten per mbledhjen e akcizes

Nga 1 tetori i këtij viti taksa e akcizës do të mblidhet nga doganat dhe jo më nga Tatimet. Kjo reformë e re e miratuar në Kuvend për ligjin mbi Akcizat u atribuon doganave një detyrë të rëndësishme në menaxhimin e kësaj takse. Për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën me dije përmes një komunikimi publik në faqen zyrtare të saj se do të nisë një fushatë me biznesin prodhues, përpunues dhe importues në vend, duke filluar së pari në kryeqytet nga dita e hënë, ku subjektet do të njihen me ndryshimet e ligjit. Subjektet kryesore në rang vendi që do të përfshihen në këtë fushatë të doganave janë ato prodhuese, përpunuese, stokuese dhe importuese të birrës, alkoolit dhe pijeve alkoolike, të produkteve të duhanit, kafesë dhe ato energjetike. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve, sipas Drejtorisë së Doganave, do të jetë informimi i kësaj kategorie biznesi mbi legjislacionin e ri, shpjegimi në mënyrë skematike i regjimeve që mund t’u nënshtrohen këto produkte, si dhe skema e lëvizjes së tyre në pezullim. Takimi do të shërbejë edhe për informimin mbi sistemin elektronik, mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet mbi kohën se kur duhen bërë aplikimet për autorizimin si depozitues të miratuar se dhe detyrimet e operatorëve ekonomikë të akcizës. Në këto takime do të përfshihen subjekte jo vetëm të Tiranës, por edhe të Durrësit, Krujës dhe Elbasanit, Korçës, Vlorës, Sarandës dhe zonave përreth tyre. Në faqen zyrtare të drejtorisë së doganave janë publikuar për të gjitha subjektet e përfshira në këtë fushatë datat dhe qytetet përkatëse se ku do të zhvillohen takimet.