Lotaria Kombetare Financat PS ka interesa klienteliste
Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e liderit socialist, Edi Rama për lolotarinë kombëtare në lidhje me procedurat që po ndiqen dhe përfitimet që do ketë buxheti i shtetit.Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Financat i kanë kërkuar liderit të opozitës dhe partisë që ai drejton të njihen me ligjin përpara se të bëjnë deklarat publike.
“Në përpjekjen e radhës për të baltosur një nga proceset më transparente të zhvilluara deri më sot, kryetari i opozitës, dje, para të gjithë publikut, në menyrë krejtësisht të papërgjegjshme, tha se 90% e të ardhurave nga lotaria shkojnë për kompaninë private dhe se vetëm 10% shkojnë për buxhetin e shtetit dhe publikun. Lidhur me këtë Ministria e Financave i kujton edhe një herë kreut të PS-së se “nëse e ka pasur të pamundur që të lexojë ligjin, atëherë për atë, por mbi të gjitha për ata që duan të dinë të vërtetën”, vlerësohet në deklaratën për shtyp.
Duke cituar detajet e ligjit për lotarinë kombëtare Financat thonë se:
Operatori që do të licencohet për lotari kombëtare do të paguaje tatim-fitimin në masën 10%, taksat lokale, TVSH 20% për çdo blerje, 10% mbi çdo divident që do të tërheqë, do të paguajë 10% si tatim të mbajtur në burim ndaj çdo çmimi që do të shpërndajë, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore për të punësuarit; si çdo biznes normal në Republikën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Ministria e Financave bën gjithashtu me dije se në shtesë të saj ky operator do të paguajë 10% të xhiros se tij bruto si detyrim ndaj buxhetit dhe publikut për të drejtën e zhvillimit të kësaj loje, 0,5% të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj Institucioneve shtetërore për monitorimin që ata do t’i bëjnë dhe mbi të gjitha, do t’i kthejë publikut të paktën 50% të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve.
Në mbyllje të deklaratës për shtyp, Ministria e Finacave i ka bërë thirrje liderit socialist të mos bëjë deklarata që flasin në vija të kundërta me ligjin.
“E ftojmë kryetarin e opozitës që të bëjë dhe një herë llogaritë për të parë nëse do jetë publiku apo buxheti që marrin thuajse 90% të të ardhurave, apo kompania? Në fakt, ne nuk kemi asnjë dyshim që opozita di ta lexojë ligjin, por dyshonim që do të arrinte deri aty sa për interesat e saj tërësisht klienteliste të dilte publikisht të mashtronte shqiptarët edhe pse ligji thotë krejt të kundërtën. Ministria e Financave, edhe njëherë siguron opinionin publik se ky proces është zhvilluar dhe do të përfundojë në menyrë krejtësisht transparente; me asistencën e ekspertëve të rekomanduar nga Organizata e Llotarive Shtetërore Europiane dhe konsulencën e një prej kompanive më të mirënjohura dhe me eksperiencë në këtë fushë. Ne garantojmë që interesi publik, si ai për lojë të përgjegjshme dhe ai financiar, do të jenë baza e këtij aktiviteti”, ka sqaruar Ministria e Financave.