E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogana për mallrat kineze rritet deri në tre herë

Rritja e doganës shihet si nevojë e qeverisë për para. "Ndryshimi për të ulur abuzimet në zhdoganim"


Autoritetet ndryshojnë mënyrën e zhdoganimit. Tani mallrat do të tarifohen për peshë jo më për njësi

Mallrat e importuara nga Kina tashmë do të kushtojnë më shtrenjtë, kjo për shkak të rritjes së taksave doganore të cilat do të zbatohen mbi to.


Një urdhër i Drejtorisë së Përgjithsme të Doganave parashikon ndryshimin e mënyrës së zhdoganimit të mallrave që vijnë nga vende, që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Tashmë mallrat nuk do të zhdoganohen për copë ose për metër, por me peshë.


Ky vendim do të prekë kryesisht mallrat që importohen nga Kina, pasi ato zënë pjesën dërrmuese të mallrave që importohen në vendin tonë nga vendet joanëtare të BE-së. "Çmimet e mallrave pas zhdoganimit do të rriten deri në tre herë",- thotë në kushte anonimati një tregtar që importon tekstile nga Kina.


Ai tregon se malli i tij është rrugës për në Shqipëri dhe nuk di çfarë të bëjë, ndërsa shton se disa kontenierë me mallra të importuesve të tjerë janë në doganë, pasi pronarët e tyre hezitojnë të bëjnë zhdoganimet me mënyrën e re.


"Sot (dje) shkuam në drejtorinë e Doganave të Tiranës, ku na thanë se urdhri ka ardhur nga drejtoria e Përgjithshme, ndërsa në drejtorinë e përgjithshme thonë se ky është një urdhër i Ministrisë së Financave dhe atje duhet të drejtohemi",- thotë importuesi.


Burime zyrtare pranë Drejtorisë së përgjithshme të Doganave thonë se për mallrat që importohen kryesisht nga Kina aplikohen disa çmime indikatorë, të cilat nuk kanë të njëjtin rol si çmimet e referencës.


"Për mallrat e importuar nga ky shtet është shumë e vështirë identifikimi i saktë i çmimeve të blerjes dhe këtu vijnë në ndihmë indikatorët, të cilët hartohen nga një ekip i posaçëm i këtij institucioni",- thonë të njëjtat burime. Ndërkohë, burime zyrtare pranë ministrisë së Financave thonë se urdhri është i drejtorisë së përgjithshme të Doganave.


"Ata kanë vënë një lidhje mes vlerës dhe peshës së mallit, një standard në mënyrë që të eleminohen abuzimet e doganierëve dhe importuesve, pasi në shume raste deklarohen shumë më pak artikuj sesa ndodhen në kontenierë",- thonë këto burime. Tregtarët shqiptarë importojnë nga Kina mallra si mobilie, tekstile, veshmbathje, etj.


Ndryshimi i mënyrës së zhdoganimit të mallrave që vijnë nga shtete, të cilat nuk janë vende anëtare të Bashkimit Evropian shihet si një përpjekje e qeverisë për të zbutur deficitin buxhetor.


Këtë vit për shkak të krizës botërore, çmimet e lëndëve të para janë ulur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare duke bërë që të ardhurat tatimore, kryesisht nga doganat të jenë nën parashikimet. Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, u arkëtuan rreth 30 milionë dollarë më pak nga sa ishte parashikuar. E. Hoxha


Tregtia me Kinën


Pas Bashkimit Evropian, Kina zë vendin e parë për importe drejt Shqipërisë, duke lënë mbrapa edhe Turqinë, importet e të cilës kanë mbizotëruar prej vitesh tregun shqiptar. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importet nga Kina për muajin maj kanë arritur në më shumsë se 3.3 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë që ishin në muajin maj të vitit 2008. Për pesë muajt e parë të këtij viti, ne kemi importuar rreth 13.7 miliardë lekë, ose rreth 137 milionë dollarë mallra. Mobileritë, veshjet dhe pëlhurat renditen ndër mallrat kryesore që ne importojmë nga ky shtet. Por gjithashtu është vënë re edhe një rritje e importeve të makinerive dhe teknologjive


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›